Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka vendosur të mbajë në fuqi urdhrin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, një vendim ky që sinjalizon vijimësinë e politikës amerikane ndaj rajonit. Urdhri ekzekutiv, i shpallur fillimisht në vitin 2001 dhe i ndryshuar në vitet 2003, 2021 dhe së fundmi në 2025, do të vazhdojë të zbatohet për një tjetër vit.
Në bazë të këtij urdhëri, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të zbatojnë sanksione në vendet e Ballkanit Perëndimor ndaj individëve të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë, si dhe në akte të dhunshme ekstremiste që destabilizojnë rajonin.
Presidenti Trump e ka marrë këtë vendim duke pasur parasysh “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues”. Ai gjithashtu theksoi se “situata në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdon të përbëjë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Urdhri i plotë ekzekutiv, i titulluar “Vazhdimi i Gjendjes së Jashtëzakonshme Kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, thekson se gjendja e emergjencës kombëtare e shpallur fillimisht më 26 qershor 2001, në përgjigje të kërcënimeve të pazakonshme dhe të jashtëzakonshme ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-së, duhet të vazhdojë në fuqi përtej 26 qershorit 2025.
Në urdhrin e tij, Presidenti Trump përmend veprimet e personave që: (i) janë të përfshirë ose mbështesin dhunën ekstremiste në ish-Republikën e Maqedonisë (tani Republika e Maqedonisë së Veriut) dhe gjetkë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ose (ii) kryejnë veprime që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje ose Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të 10 qershorit 1999 për Kosovën.
Urdhri gjithashtu referon ndryshimet e mëparshme, duke përfshirë Urdhrin Ekzekutiv 13304 të vitit 2003, për të ndërmarrë hapa të tjerë kundër veprimeve që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 për ish-Republikën e Maqedonisë, dhe Urdhrin Ekzekutiv 14033 të vitit 2021, i cili zgjeroi fushën e gjendjes së jashtëzakonshme duke përfshirë minimin e marrëveshjeve të pasluftës, institucioneve dhe korrupsionin e përhapur në qeveritë e rajonit, si kërcënime për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Gjithashtu përmendet Urdhri Ekzekutiv 14140 i 8 janarit 2025, i cili synonte masa shtesë në dritën e zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë sfidat ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial, minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës, korrupsionin e rëndë dhe shmangien e sanksioneve amerikane.
Presidenti Trump thekson se këto veprime dhe situata të përgjithshme në rajon vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm. Për këtë arsye, ai ka vendosur të vazhdojë për edhe një vit gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Njoftimi për këtë vendim do të publikohet në Regjistrin Federal dhe do t’i përcillet Kongresit Amerikan. Ky veprim i fundit i Presidentit Trump rikonfirmon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ruajtur stabilitetin dhe për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor, duke lënë të hapur mundësinë e sanksioneve të reja ndaj individëve dhe entiteteve që minojnë paqen dhe zhvillimin demokratik në rajon.