Kryebashkiaku Erion Veliaj t’ronditet në qeli! Të parit të Tiranës i ndodh e papritura

Pas një sërë zhvillimesh gjyqësore, çështja e shembjes së shtëpive private në zonën e “5 Majit” në Tiranë, e ndodhur në vitin 2022, pritet të kthehet në një hetim të thelluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke përfshirë nën hetim Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Mariglen Qato, si dhe ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë.

Ky ndryshim i rëndësishëm në rrjedhën e çështjes erdhi pas një vendimi të datës 19 maj 2025, të dhënë nga gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj. Në vendimin e tij, gjyqtari Islamaj ka shfuqizuar vendimin e mëparshëm të gjyqtarit të Shkallës së Parë, Gerd Hoxha, duke urdhëruar që dosja penale me Nr. 1782, e cila përfshin akuzat ndaj Erion Veliajt, Mariglen Qatos, Arben Cakës dhe zyrtarëve të tjerë të bashkisë, të transferohet nga Prokuroria e Tiranës dhe të hetohet nga një prokuror i posaçëm pranë SPAK-ut.

Gjykata e Apelit të Tiranës ka rrëzuar kështu vendimin e pezullimit të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë, duke argumentuar mungesën e kompetencës lëndore të kësaj të fundit për të gjykuar kërkesën e prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes. Sipas Apelit, kallëzimi penal përfshin edhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili bën pjesë në rrethin e subjekteve të posaçëm, akuzat ndaj të cilëve gjykohen nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ky zhvillim vjen vetëm 40 ditë para se Gjykata e Lartë të shqyrtojë, më 8 korrik 2025, kërkesën e Erion Veliajt për zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” ose një masë tjetër më të lehtë, në lidhje me çështje të tjera penale. Me mbërritjen e kësaj dosje në SPAK, numri i çështjeve penale që rëndojnë mbi Veliajn shkon në katër, duke përfshirë edhe akuzat për korrupsion me fondet e bashkisë nëpërmjet organizatave joqeveritare të lidhura me bashkëshorten e tij, çështjen e prishjes së Teatrit Kombëtar dhe atë të inceneratorit fantazmë të Tiranës.

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, dosja në fjalë ishte pezulluar në fazën e gjykimit paraprak që në 27 mars 2024, pas një kërkese për pushim të procedimit penal të paraqitur nga Prokuroria e Tiranës. Çështja nisi nga një kallëzim penal i depozituar në SPAK në fillim të vitit 2022 nga Ledion Mziu, një banor i lagjes “5 Maji”, shtëpia e të cilit u shemb nga bashkia. Mziu akuzonte drejtpërdrejt Erion Veliajn, Mariglen Qaton, Arben Cakën dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkatërrimit të pronës”, “Heqje e paligjshme e lirisë” etj.

Pas një verifikimi të shkurtër, SPAK ia kishte dërguar çështjen për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, duke argumentuar se vendimmarrja për prishjen e objekteve ishte në kompetencë të IKMT-së dhe kryeinspektori dhe inspektorët nuk përfshiheshin në rrethin e subjekteve të posaçëm që hetohen nga SPAK. Megjithatë, Gjykata e Apelit ka rrëzuar këtë arsyetim, duke theksuar se kallëzimi penal përfshin edhe Erion Veliajn, duke e bërë SPAK-un kompetent për hetimin e çështjes.

Në dosjen hetimore thuhet se Ledion Mziu, ditën e shembjes, ka qenë në shtëpi me familjarët kur ka parë forca të shumta policie dhe punonjës të IMT-së që i kërkonin babait të tij të dilte dhe të paraqiste dokumentet e pronësisë. Pas dhjetë minutash, babai i tij u shoqërua në komisariat, ndërsa Mziu u përpoq të bisedonte me shefin e komisariatit dhe Mariglen Qaton, duke i vënë në dijeni të procesit gjyqësor në Gjykatën Administrative. Pavarësisht kësaj, banesa e tij u rrethua nga forca të shumta policie dhe punonjës të IMT-së shpërthyen portën dhe nisën shembjen, pavarësisht ankesave të Mziut për paligjshmëri dhe kërkesës së tij për mbrojtje nga Policia e Shtetit.