‘Mjellma e zezë’ po vjen në Tiranë, trondittja që po i afrohet kryeministrit Edi Rama

Që nga viti 2013, Edi Rama është ushqyer politikisht çdo ditë nga ndërkombëtarët. Por historia që sjell Nassim Taleb në librin e tij “The Black Swan” na paralajmëron: kur mendon se gjithçka është nën kontroll, vjen katastrofa që nuk e ke parë kurrë. Dhe ajo po vjen…

Në librin që ka tronditur ekonomistët, politikanët dhe liderët e korporatave në gjithë botën, Taleb paraqet një metaforë të thjeshtë, por brutale: një gjel ushqehet çdo ditë nga pronari dhe çdo ditë bindet se jeta e tij është e sigurt. Por në ditën e 1001-të, pa paralajmërim, vjen kasapi.

Edi Rama i ka kaluar tashmë 4000 ditë në pushtet. Që nga dita e parë në Kryeministri, është kujdesur të ndërtojë një raport të kujdesshëm me ndërkombëtarët: i përulur në Bruksel, i qeshur në New York, i sofistikuar në Paris dhe i përdredhur në Tiranë. Ai ka krijuar iluzionin se është një “partner strategjik”, por në fakt ka ndërtuar një model që ushqehet me imazh, jo me vlera.

Prej më shumë se një dekade, Perëndimi ka mbyllur një sy, në emër të “stabilitetit rajonal”. Rama e ka kuptuar këtë boshllëk dhe e ka kthyer në art manipulimi. Ka promovuar reforma që ekzistojnë vetëm në ”PowerPoint” ose ”AI” dhe në raportet e ambasadave, por jo në jetën e qytetarit shqiptar. Ka kontrolluar median, drejtësinë, tenderët, opozitën dhe zgjedhjet, ndërsa fliste për demokraci funksionale para diplomatëve.

Ndërkombëtarët, për arsye të veta strategjike, kanë zgjedhur të heshtin. Jo se nuk e dinë kush është Edi Rama. Jo se nuk kanë informacion për korrupsionin sistemik, për lidhjet e tij me krimin e organizuar, për kontrollin e mediave dhe për kapjen totale të shtetit. Thjesht kanë zgjedhur pragmatizmin. Kanë toleruar, por nuk kanë harruar.

Sipas Taleb, ngjarjet që ndryshojnë historinë nuk ndodhin nga proceset që i njohim, por nga shpërthimet që nuk i kemi parë kurrë më parë. Ato ndodhin papritur, vijnë nga drejtimi i gabuar dhe përmbysin çdo llogari politike.

Ashtu siç ndodhi me grushtin e shtetit në Turqi, me Brexit, me pandeminë, me sulmin ndaj Capitol-it, me arrestimin e Hashim Thaçit. Ngjarje që askush nuk i parashikoi, por që të gjithë më pas pretenduan se i kishin kuptuar.

Edi Rama është sot në atë fazë të rrezikshme ku mendon se e ka blerë heshtjen e Perëndimit. Se shakatë e tij cinike nëpër forume ndërkombëtare janë garanci. Se diplomacia funksionon me selfie, jo me standarde. Por gabon rëndë. Perëndimi nuk ka harruar. Ai pret.

Kasapi vjen në ditën e 1001-të, jo se ka urrejtje, por sepse është pjesë e ciklit. Ashtu siç vjen një raport i ashpër nga Departamenti i Shtetit, ashtu siç vjen një dosje e klasifikuar nga një zyrë europiane, ashtu siç ndodh që një prokuror i SPAK del jashtë skenarit dhe vendos të shkojë deri në fund të një dosjeje që përfshin njerëzit më të afërt me kryeministrin.

Black Swan nuk është vetëm një metaforë. Është ajo çka i ndodh liderit që ka ndërtuar gjithë pushtetin mbi idenë e kontrollit absolut. Dhe Edi Rama, sot, ndodhet pikërisht në këtë fazë: ai kontrollon gjithçka, por nuk kontrollon më asgjë.

Askush nuk e sheh fundin kur është në majë. Dhe askush nuk e beson fundin kur ka rreth vetes parate, duartrokitjet, diplomatët dhe analistët. Por historia nuk pyet për perceptim. Shqipëria është shumë afër shkundjes më të madhe politike që ka parë në këto 30 vite. Dita e ‘kasapit’ po vjen.