EKSLUZIVE: Zbulohet raporti psikiatrik për Naim Murselin, ja çfarë thotë

Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj – një rast që ka tronditur opinionin publik në Kosovë.

Sipas raportit mjekësor të siguruar ekskluzivisht nga Gazeta Insajderi, ekspertët psikiatrikë kanë konstatuar se Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore të përhershme apo të përkohshme.

Ai nuk ka shfaqur as prapambetje, ngecje mendore apo abuzim me substanca psikoaktive ose alkool.

Më tej, raporti sqaron se në momentin e kryerjes së veprës penale, për të cilën ai akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji psikiatrike patologjike që do të kishte ndikuar në aftësinë e tij për të kuptuar rëndësinë e veprës apo për të kontrolluar sjelljen e tij.

“Vlerësimi është bërë duke analizuar edhe dinamikën e sjelljes para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës”, thuhet në raport.

Ekspertiza përfundon se Murseli është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm për veprimet e tij, si dhe në gjendje të përballet me gjykimin.

Ai mund të marrë pjesë në seanca gjyqësore, të mbrohet vetë ose të konsultohet me avokatë, dhe e kupton akuzën ndaj tij.

Lajmin për përfundimin e raportit e ka konfirmuar për Insajderin drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri.

“Po, është e vërtetë, kështu shkruan në raport, por nuk mund të prononcohemi më gjatë pa e parë raportin gjyqtarja e rastit,” tha Haxhibeqiri.