Dëshmia shokuese e vëllait të Liridonës, çka i tha Naim Murseli pas krimit

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi, po dëshmon sot para trupit gjykues në rastin e vrasjes së motrës së tij.

Ai rrëfeu momentin e rëndë kur mori lajmin për vrasjen e motrës.

“Kam qenë në lokal në fshatin tim duke punuar. Më ka thirrur bashkëshortja në telefon dhe më ka thënë: E paskan vra Liridonën. Si kishte shumë njerëz në lokal, nuk e dëgjova mirë a ishte fjala për motrën time Liridonën apo për djalin e axhës, po ashtu Liridon. Pastaj nuk vonoi shumë dhe erdhi thirrja e dytë, më tha: Hajde në shtëpi, se e kanë vra motrën tënde, Liridonën”, tha Ademaj raporton Insajderi.

Ai tregoi se pas ngjarjes kishte kërkuar dhëndrin, Naim Murselin, dhe e kishte gjetur të shtrirë në hotel, ku sipas tij, ai kishte porositur edhe drekë në ato momente, transmeton klankosova.tv.

”Rreth orës 11 provova të kontaktoj me Naimin sepse nuk e dinim ku ndodhej. E thirra Valon Lluken, më tha: “Merre numrin e shoferit me të cilin është Naimi dhe fol me të.”

E thirra Betim Podrimqakun, më tha që Naimi është në Swiss. U nisëm me djalin e axhës, dajën dhe tezakun. Na thanë se është lart në dhomë.

Ai ishte i shtrirë në shtrat, kishte disa gjëra ushqimore në tavolinë që i kishte porositur si drekë. Nga habia menduam se ishte i frikësuar, se po e përjetonte me dhimbje.

I thashë: “A mundemi me shku në morg me pa Liridonën?” Tha: “Jo, nuk na lejohet.”

E thirra vetë spitalin, i thashë: “A mundemi me ardh me pa trupin?” Shkuam, erdh edhe Naimi.

Mjeku tha: “Nëse keni ndonjë problem, mundeni me mos ardh. Naimi tha: “Kam problem me zemër, s’e di a muj me e pa.” Ai erdhi deri te dera, dhe vetëm nga dera e shikoi. Nuk hyri brenda”.