Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i dëmtuar në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, do të dërgohet në Itali për një ndërhyrje të dytë kirurgjikale. Këtë e bëri të ditur shefja e Okulistikës në QSUT, Vilma Mema.
Mjekja tha se pas konsultave të sotme janë konstatuar shenja pozitive dhe gjendja është më e stabilizuar. Ndërhyrja e radhës synon heqjen e trupit të huaj nga syri, në bashkëpunim me një klinikë të specializuar italiane.
Për shikimin, Mema sqaroi se vlerësimi do të bëhet pas ndërhyrjes dhe gjatë ditëve në vijim. Ministria e Shëndetësisë është vënë në dispozicion për transportin e pacientit.