Goditje e fortë për Listën Serbe në Kosovë/ Studentët në Serbi marrin vendimin e papritur

Kandidati i Listës Studentore për deputet në Serbi, Jugoslav Gashiq,

ka përjashtuar bashkëpunimin me Listën Serbe, duke e lidhur atë me politikat e SNS-së së Aleksandar Vuçiqit.

“Lista Serbe ishte zbatuese e punëve të SNS-së në territorin e Kosovës dhe Metohisë, me rezultate absolutisht katastrofale. Nuk duam asnjë kontakt dhe asnjë bashkëpunim me ta”, tha ai për Radio KIM-in.

Duke komentuar rezultatet zgjedhore, Gashiq u shpreh: “Për ta kjo është një befasi e madhe dhe tërmet. Mendoj se janë të shqetësuar për atë se si do të vazhdojnë më tej”, duke shtuar se “përfaqësuesit e Listës Serbe aktualisht janë më shumë të preokupuar me çështjen e së ardhmes së tyre politike dhe personale sesa me funksionimin e mëtejshëm të partisë”.

“Lista Serbe ishte absolutisht e bindur se do të fitonte, sepse prej vitesh ishte udhëhequr nga veprime të pandershme dhe presione ndaj popullit tonë, duke i shantazhuar për të votuar për opsionin që ata e mbështesin. E humbën ndjenjën e realitetit dhe menduan se në këtë mënyrë do të fitonin me siguri”, tha Gashiq.