Kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi se Berlini mund të bllokojë miratimin e buxhetit të BE-së për vitet 2028–2034,
nëse nuk arrihet marrëveshje që çdo shtet anëtar të kontribuojë në financimin e Ukrainës nga viti 2027. Merz e shprehu këtë qëndrim në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, raporton “Financial Times”.
Sipas vlerësimeve të raportuara, Ukrainës mund t’i mungojnë rreth 70 miliardë euro për vitin 2027.
“Angazhimi i përbashkët i të gjitha vendeve anëtare, pa përjashtim, për të kontribuar në mënyrë të drejtë në mbulimin e deficitit financiar të Ukrainës është parakusht thelbësor për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për diskutimin e temave të tjera, veçanërisht atyre që kanë pasoja financiare”, thuhet në letër.
Merz kërkon që BE-ja të sigurojë financim shumëvjeçar nga viti 2028, duke mbuluar edhe interesat e detyrimeve ekzistuese. Ai kërkon që financimi i Ukrainës të jetë ndër prioritetet e takimit joformal të liderëve të BE-së në Dublin.