Dy burra pritet të dalin para Gjykatës Rajonale në Wiener Neustadt në mesin e nëntorit për vrasjen e një 38-vjeçareje, nënë e katër fëmijëve. Ngjarja ndodhi më 5 prill, ditën e Pashkëve, në Sooß të Austrisë së Poshtme, raporton gazeta austriake “Heute”.
Bashkëshorti i saj, një 47-vjeçar shqiptar nga Kosova, akuzohet për vrasjen. Sipas aktakuzës, ai kishte shkuar t’i çonte dhurata për Pashkë bashkëshortes, nga e cila ishte ndarë, dhe dyshohet se më pas e sulmoi me armë zjarri dhe kaçavidë. Pas ngjarjes, për katër fëmijët u mblodhën 4 mijë euro donacione.
Një bashkëkombës i tij, 45 vjeç, akuzohet se ia siguroi pistoletën duke e ditur se për çfarë do ta përdorte. Ai ndodhet në paraburgim dhe rrezikon burgim të përjetshëm. Avokati Mirsad Musliu mohon se klienti i tij ia shiti armën 47-vjeçarit për 900 euro apo se kishte ndonjë rol në vrasje.
Sipas një ekspertize psikiatrike, 47-vjeçari vuan nga një gjendje psikotike dhe është vlerësuar si i papërgjegjshëm penalisht. Vendimin për të dy të akuzuarit do ta marrë gjykata.