Diaspora e Shqipërisë e krijuar pas viteve ’90 numëron 2.256.346 persona, rreth 49% të numrit të përgjithshëm të shtetasve shqiptarë. Të dhënat e INSTAT-it janë përfshirë në Profilin Kombëtar të Migracionit 2025.
Rreth 77%, ose 1,74 milionë persona, janë të moshës 15–64 vjeç. Fëmijët deri në 14 vjeç përbëjnë 18%, ndërsa personat mbi 65 vjeç rreth 5%. Diaspora përbëhet nga 52,2% meshkuj dhe 47,8% femra.
Italia dhe Greqia mbeten destinacionet kryesore, ndërsa prania e shqiptarëve është rritur edhe në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës Veriore e Qendrore.
Sipas Eurostat-it, në vitin 2024 vendet e BE-së lëshuan rreth 79 mijë leje të para qëndrimi për shtetasit shqiptarë, 5,5% më shumë se një vit më parë. Prej tyre, 47,6% u dhanë për bashkim familjar dhe 29,1% për punësim, raporton Ekofin, transmeton Telegrafi.