U gjobit sepse doli në protestë/ Ja çfarë vendosi Gjykata për Erind Gocllarin

Gjykata Administrative e Tiranës ka

pezulluar më 24 nëntor ekzekutimin e gjobës prej 500 mijë lekësh ndaj 17-vjeçarit Erind Goçllari, të vendosur pas pjesëmarrjes në protestë. Padia për anulimin e gjobës vijon të shqyrtohet.

“Drejtoria e Policisë nuk mund të vijojë me ekzekutimin e gjobës derisa të mbyllet gjyqi me vendim të formës së prerë. Kjo është ajo që është e rëndësishme në këtë moment”, tha avokati Ledio Braho për Citizens.al. Ai sqaroi se pezullimi vlen vetëm për këtë gjobë.

Braho argumenton se ligji për kundërvajtjet administrative nuk parashikon gjoba për personat nën 18 vjeç. “Sot më është paraqitur një tjetër i mitur, 16 vjeç, ndaj të cilit janë vendosur një gjobë prej 500 mijë lekësh dhe dy gjoba prej 5 mijë lekësh. Rastet janë masive, ndërsa procedurat për kundërshtimin e tyre kërkojnë më shumë kohë, pasi për shkak se të miturit janë nën 18 vjeç, prokura duhet të nënshkruhet edhe nga prindërit”, tha ai.

Sipas raportimit, gjobat janë vendosur në bazë të Aktit Normativ nr. 5, pjesë e ndryshimeve për tubimet të miratuara më 29 tetor. Rregullat parashikojnë gjoba deri në 500 mijë lekë dhe kufizime të tubimeve pranë institucioneve deri në 72 orë, kur Policia vlerëson se ka rrezik real për dhunë ose dëme të rënda.