Donin ta martonin që në moshë të re? Bebe Rexha zbulon të pathënat për traditat shqiptare

Bebe Rexha është vlerësuar me çmimin “Global Hitmaker Award” në ceremoninë “Billboard Canada Women in Music 2026”, ku foli për ëndrrat e fëmijërisë dhe rrënjët shqiptare.

Artistja kujtoi se si kërkonte revistën Billboard në dyqane, duke ëndërruar që një ditë këngët e saj të hynin në “Hot 100”. Ajo tregoi edhe për krijimet e para në shtëpinë e prindërve në New York: “Ne jemi shqiptarë dhe nëna ime vendoste plastikë mbi mobiliet, sepse nuk donte që t’i ndotnim. Por unë aty shkruaja këngët e mia. Pikërisht aty përfundova duke shkruar një nga hitet e mia të para”.

Duke folur për pritshmëritë tradicionale me të cilat ishte rritur, Rexha tha: “Dua të falënderoj kulturën time, sepse të qenit shqiptare është një pjesë shumë e madhe e asaj që jam. Nëse je shqiptar, e njeh mentalitetin tradicional: martesa në moshë të re, dikush vjen të kërkojë dorën tënde dhe duhet të bëhesh nënë në moshën 24 apo 25-vjeçare. Unë thashë: ‘Në asnjë mënyrë!’”.

Ajo rrëfeu se nëna e kishte mbështetur kur dikush kishte ardhur për t’i kërkuar dorën, duke besuar në të ardhmen e saj. Në moshën 19-vjeçare, Bebe u largua drejt Los Angeles për t’iu përkushtuar muzikës.

“Do të doja t’i thosha asaj vajze të vogël: Qetësohu, nuk është çështje jete a vdekjeje. Gjithçka do të rregullohet”, ishte mesazhi me të cilin e mbylli fjalimin.