Një prej personave të kërkuar nga SPAK nën dyshimin si i përfshire në trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Anglisë ka humbur betejën e bllokimit të ekstradimit.
Sipas dokumenteve të Gjykatës Westminster Magistrate Court i është dhënë drita jeshile e ekstradimit të Alban Gjidiajt për në Shqipëri, pas një bashkëpunimi juridik mes CPS, Prokurorisë Mbretërore Britanike dhe drejtorisë për marrëdhëniet me jashtë në Ministrinë e Drejtësisë, Tiranë.
Gjykatësi i çështjes tashmë e ka çuar vendimin e marrë sekretares së Shtetit për Punët e Brendshme, e cila do të firmosë urdhrin final të ekstradimit.

Ndërkohë po sipas dokumenteve të kësaj gjykate, Alban Gjidiaj do të vijojë lirinë me kusht pas një garancie monetare prej 5 mijë sterlinash, monitorimin elektronik, përfshirë paraqitjen çdo të premte në rajonin policor Colindale.
Një vit më parë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët britanikë, lokalizuan në Londër të kërkuarin me një urdhër-arrest të lëshuar nga SPAK, Alban Gjidiajn.
Siç edhe Top Channel ka raportuar kur Gjidiaj u arrestua, ai u akuzua për përfshirje në një komplot ndërkombëtar për trafik armësh drejt Britanisë së Madhe.
Gjidiaj është i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte planifikuar të transportonte tetë armë zjarri dhe një sasi të konsiderueshme municioni nga porti i Durrësit drejt bandave në territorin britanik.