Arrestimi i djalit të Artan Hoxhës me kërkesë të Kosovës: Çfarë fshihet pas? Dalin Detajet

Prokuroria e Shtetit e ka vendosur nën hetim për përfshirje në krim të organizuar djalin e gazetarit nga Tirana, Artan Hoxha.

Geri Hoxha, i moshës rreth 25 vjeçare, është arrestuar të hënën e 19 janarit në Tiranë, në bazë të një urdhërarresti të Policisë së Kosovës.

Bashkë me të, Policia e Shtetit ka arrestuar edhe Reando Bibën, një tjetër të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, dy të dyshuarit janë ndaluar “me qëllim ekstradimin drejt autoriteteve të Kosovës”.

Arrestimin e djalit të tij e ka konfirmuar të martën gazetari Artan Hoxha për Paparacin.
Gazetari, i njohur për trajtimin e temave të botës së krimit dhe mafisë në Shqipëri, ka kërkuar që të mos deklarohet gjerësisht me arsyetimin se nuk e ka pranuar ende dosjen e plotë të rastit.

Ai është shprehur shkurt se, sipas tij, rasti mund të ketë prapavijë politike dhe se po përdoret për ta goditur për shkak të punës së tij si gazetar.

Gjykata e Tiranës pritet të vendosë për ekstradimin e Hoxhës dhe Bibës brenda një afati prej 40 ditësh nga dita e arrestimit.

Brenda këtij afati, autoritetet kosovare kanë mundësi të dërgojnë kërkesën për ekstradim si dhe përshkrimin e provave bazë të rastit.