Menjëherë pas përfundimit të edicionit të këtij viti të festivalit “Sunny Hill”, Dua Lipa ka udhëtuar drejt Shqipërisë
për të bërë disa ditë pushime në jug në Kep Merli.
Këngëtarja e famshme e zbuloi këtë përmes një postimi në “Instastory”. Ajo ndau me 88.1 milionë ndjekësit një fotografi mahnitëse të rivierës shqiptare, ku shfaqej një peizazh me ujëra të kristalta dhe një perëndim dielli magjepsës.
“Arrita në shtëpi në kohë për këtë perëndim të mrekullueshëm të diellit”, shkroi ylli i muzikës në mbishkrimin që shoqëronte foton, duke e quajtur Shqipërinë “shtëpi”.
Vetëm pak ditë më parë, artistja ndezi skenën e “Sunny Hill Festival” në Prishtinë me një performancë energjike që mblodhi yje dhe fansa nga e gjithë bota.
Dua Lipa, e cila ka shtetësinë e Kosovës, Shqipërisë dhe Britanisë, ka promovuar shpesh kulturën dhe bukuritë e vendit të saj përmes pranisë ndërkombëtare dhe projekteve artistike.