Britania e Madhe ndalon izraelitët — ja se për çfarë bëhet fjalë

Ministria e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar ka vendosur që nga viti i ardhshëm të mos lejojë shtetas izraelitë në “Royal College of Defence Studies”, akademia elitare ku trajnohen oficerë të lartë ushtarakë dhe diplomatë.

Vendimi lidhet me operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza. Ky është rasti i parë që nga themelimi i kolegjit në vitin 1927 që një komb i tërë përjashtohet nga pjesëmarrja.

Akademia ka pritur ndër vite personalitete ushtarake e politike nga e gjithë bota, përfshirë ish-presidentin pakistanez Pervez Musharraf.

Lajmi ka sjellë reagime nga Izraeli. Amir Baram, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ish-student i kolegjit, e quajti vendimin “diskriminues” dhe “një akt të turpshëm ndaj një aleati në kohë lufte”.

Autoritetet britanike theksuan se masa është pjesë e politikave më të gjera ndaj Izraelit, përfshirë pezullimin e eksporteve të armëve dhe ndalimin e pjesëmarrjes në ekspozita të mbrojtjes, duke theksuar nevojën për armëpushim të menjëhershëm dhe respektim të ligjit ndërkombëtar humanitar.