DALIN DETAJET: Zbulohet çka e shkaktoi aksidentin tragjik që solli përfundimin e jetës së futbollistit Diego Jota

Autoritetet spanjolle kanë sqaruar detaje të reja mbi aksidentin fatal që i mori jetën futbollistit të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, André Silva.

Sipas hetimeve paraprake të policisë, shkaku kryesor i aksidentit dyshohet të ketë qenë një shpërthim i gomës së përparme të makinës, ndërsa mjeti tip “Lamborghini” po lëvizte me shpejtësi në autostradën A-52, në zonën e Cernadilla, provinca e Zamorës.

Raporti zyrtar tregon se makina ka humbur kontrollin gjatë një manovre për të kaluar një automjet tjetër.

Pas daljes nga rruga, automjeti është përplasur me barrierat anësore dhe ka shpërthyer në flakë. Të dy vëllezërit, që ndodheshin brenda makinës, nuk arritën të dilnin nga mjeti përpara se zjarri të përfshinte plotësisht kabinën.

Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të 3 korrikut. Ekipet e emergjencës mbërritën shpejt në vendngjarje pas telefonatave të kalimtarëve, por fatkeqësisht të dy viktimat ishin shpallur të vdekur në vend. Nuk ka të dhëna që në aksident të jenë përfshirë mjete të tjera.

Diogo Jota, 28 vjeç, ishte një nga figurat kyçe të Liverpoolit që nga viti 2020 dhe kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në sukseset e fundit të klubit, përfshirë edhe fitoren në Premier League sezonin e kaluar. Ai gjithashtu ishte pjesë aktive e Kombëtares së Portugalisë, me të cilën së fundmi kishte fituar Ligën e Kombeve.

Vetëm dy javë para aksidentit, Jota ishte martuar me partneren e tij, Rute Cardoso.
Vëllai i tij, André, ishte gjithashtu futbollist profesionist në ligën portugeze, duke luajtur për skuadrën e Penafiel.

Federata Portugeze e Futbollit dhe klube të shumta europiane kanë shprehur ngushëllime për këtë humbje të rëndë. Ndërkohë, hetimet për të përcaktuar saktësisht të gjitha rrethanat e aksidentit vijojnë nga autoritetet spanjolle.