Këngëtarja e njohur shqiptare, Vesa Luma, ka zgjedhur rrjetet sociale për të shprehur një qëndrim të qartë dhe mirënjohje të veçantë për qeverisjen aktuale në Kosovë.
Përmes një postimi në Instagram Story, ajo ka ndarë një imazh ku shihet krah Kryeministrit Albin Kurti, duke e shoqëruar me një tekst të gjatë plot vlerësim.
Vesa e ka nisur mesazhin e saj duke adresuar kritikat që shpesh u bëhen artistëve kur përfshihen në çështje politike, por ka theksuar se përvoja e saj personale dëshmon një realitet tjetër.
“Disave nga ju nuk ju pëlqen kur arti ‘përzihet’ në politikë, por arti dhe artistët kurrë nuk janë trajtuar më dinjitetshëm sesa nën qeverisjen e z. Kurti,” ka shkruar këngëtarja, duke e cilësuar këtë si një fakt të pamohueshëm të dy dekadave të fundit.
Më tej, artistja zbuloi se gjatë këtij viti ka pasur takime të shumta me Kryeministrin Kurti dhe Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, ku fokusi ka qenë përmirësimi i jetës artistike në vend.
Sipas saj, temat kryesore kanë: Mirëqenia e artistit, përmirësimi i infrastrukturës kulturore dhe edukimi kulturor.
Vesa theksoi se misioni i tyre i përbashkët është që t’ua lehtësojnë rrugën artistëve të rinj, në mënyrë që ata të kenë më shumë hapësirë dhe mbështetje.
Në fund të postimit, ajo nuk ka kursyer as urimet për mbarëvajtjen e proceseve demokratike në Kosovë, duke e marrë vendin si shembull për të gjithë rajonin.
“Urime Kosovë, që gjithmonë tregohet maturi gjatë procesit zgjedhor dhe kulturë të jashtëzakonshme të demokracisë, shembull për gjithë Ballkanin,” përfundoi ajo.
Ky postim i Vesës vjen në një kohë kur angazhimi i figurave publike në jetën shoqërore dhe politike është gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe komentohet gjerësisht nga ndjekësit. /Prive By Liberta Spahiu
