DETAJE të REJA nga intervista e fundit e Altin Dumanit që po trazojnë politikën

Nga Anila Basha

Sot kur ky numër reviste vjen në duart e lexuesit, Altin Dumani e ka lënë zyrën e tij të drejtuesit të SPAK. Një zyrë modeste në katin e tretë të pallatit të qelqtë, ku edhe unë, hyra me kuriozitetin se “çfarë gatuhet aty brenda”. Të hysh në SPAK të kap një lloj drithërime, qoftë edhe kur nisesh për një kafe me kryeprokurorin.

Por brenda akujt shkrihen dhe fillon kurioziteti. Altin Dumani zgjedh të ulet në qoshen e këndit të zi prej lëkure, pa mbështetëse nga pas, (aspak komode m’u duk). Meqë është e shtunë, – dhe ai punon edhe të shtunave e të dielave kur ka shumë punë, – nuk ka askënd në paradhomë të të ofrojë një kafe, ndaj ngrihet e bën vetë.

Këtu biseda nis natyrshëm, për familjen, për punën, për pushimet, për sigurinë e pasigurinë e të qenurit në detyrën që ka mbajtur deri tani si drejtues i institucionit, por edhe thjesht si prokuror i SPAK në vijim. Ai ka luajtur një rol në këto tre vite dhe kjo nuk është pak. E ngacmoj shumë për frikën, apo frikërat, sidomos për rrethin e vet familjar. Nuk përfitoj ndonjë gjë të madhe.

Altin Dumani, duket, dhe paraqitet si një njeri i lirë. E ka kërkuar dhe e ka fituar me forcat e veta, kundër të gjithëve që kanë diçka në dorë, por me mbështetjen e njerëzve të thjeshtë që e kanë parë si një shpresë. “Do rrisim fëmijët këtu thotë”, duke kujtuar se pavarësisht ku shkon, ideja se do të kthehet këtu, i pëlqen.

Të duket sikur Dumani e kupton se ky vend e ka nisur garën shumë vonë, ndaj në 3 vjet, vrapoi me gjithë shpejtësinë për të arritur kohën e humbur: 37 milionë euro pasuri e sekuestruar për 17 zyrtarë të nivelit të lartë nuk janë pak. Fundja, shifrat janë ato që nuk të tradhtojnë, e gjithçka bëhet për paratë: ato duhet t’u kthehen qytetarëve.

Ndoshta kjo intervistë ndokujt mund t’i duket skematike, me një Prokuror që na tregon ligjin e nuk flet për çështje konkrete, por brenda saj përshfaqet një zyrtar i shtetit që kishte marrë një detyrë të madhe përsipër dhe e lë me një bilanc pozitiv në postin drejtues, (sepse do të vazhdojë si prokuror).

Eshtë një njeri normal si gjithësecili prej nesh, që shkon në Kishë e beson në Zot, që i pëlqen të kalojë ditët me familjen e miqtë, e që është një i apasionuar pas shpejtësisë e garave me makina. Disa njerëz jeta i çon me shpejtësi të madhe atje ku ata do të arrinin patjetër dhe me bilancin e punës së tij tre vjeçare në krye të SPAK shihet qartë se ka ditur të zërë një vend të sigurt në memorien e njerëzve, në furtunën e madhe që ai dhe kolegët e tij, krijuan.

PYETJET PERSONALE

Kush janë tre elementët që mendoni se ju përshkruajnë më mirë si individ dhe jo si drejtues i SPAK?

Ekuilibër, ndershmëri, integritet. Këto janë parimet dhe vlerat që më kanë udhëhequr gjatë gjithë jetës sime dhe ua përcjell edhe fëmijëve të mi. Përulësia dhe mirënjohja më kanë shoqëruar dhe do te më shoqërojnë gjithmonë

Cili është aktiviteti që ju qetëson mendjen pas një dite të lodhshme e të gjatë pune?

Për shkak dhe të detyrës, lëvizjet e mia janë të kufizuara dhe koha me cilësore dhe qetësuese është qëndrimi me familjen time, në ato pak momente privatësie që kam.

Në media është shkruar këto kohë se ju jeni një besimtar, jo praktikant, por që ndiqni ritualet kishtare. A është e vërtetë? A shkoni në Kishë? A keni besim te Zoti?

Po, besoj në Zot. Së bashku me familjen time prej shumë vitesh shkojmë në Kishë dhe jemi praktikantë. Besimi në Zot është burim force ndihmon në formimin e karakterit dhe moralit, sjell qetësi.

Ndoshta tani nuk keni shumë kohë, por a keni një sport të preferuar? Në ndeshjen e fundit ndaj Anglisë ju pamë edhe në stadium…

Futbollin e pëlqej shumë dhe ndeshjet e ekipit përfaqësues ta ngrenë zemrën peshë. Tifozët e futbollit nuk do të ma marrin për keq po t’i them se sporti im i preferuar mbetet Formula 1. Shpejtësia më tërheq shumë dhe ajo është një garë sa psikologjike aq dhe strategjike. Gjithashtu basketbolli amerikan më tërheq shumë, pothuajse çdo natë shoh rreth 20 – 30 minuta ndeshje të NBA (kuptohet të regjistruara).

Cila është jeta juaj sociale në këtë pozicion kaq të ngarkuar që keni? A keni një grup të ngushtë miqsh me të cilët gjeni balancën nga dita e ngarkuar tek darkat me humor dhe ndonjë gotë verë?

Sigurisht që kam miq me të cilët ndajmë copëzat e jetës sonë personale dhe profesionale. Miqësinë e vlerësoj dhe jam krenar për ata miq që kam, të vjetër dhe të rinj për nga koha dhe tejet të çmuar për nga vlerat.

Pak është folur për jetën tuaj personale. Një video e qarkulluar më së fundi në dasmën e një familjari tuajin në SHBA ishte “ushqim i dëshiruar” për shumë media. Si është jeta juaj familjare. A trembeni tani që do të lini këtë detyrë? Po në përfundim të mandatit 9 vjeçar cilat janë pritshmëritë që keni për veten? Çfarë do të bëni?

Kemi një rreth të gjerë nga të dy familjet tona. E kuptoj interesin e publikut për të ditur më shumë, i cili shpesh herë është i pamëshirshëm ndaj privatësisë. Ai ishte një moment i gëzueshëm, që përkoi edhe me vizitën time zyrtare në Departamentin e Drejtësisë, Departamentin Amerikan të Shtetit si dhe Konferencën e DEA-s në SHBA.

Çfarë u transmetoni më shumë fëmijëve: disiplinën, ndershmërinë apo kurajon?

Të trija, duke shtuar edhe empatinë, t’i kuptojnë edhe ndjejnë njerëzit me veçantitë dhe tërësinë e tyre.

Cila ka qenë periudha më formuese në jetën tuaj profesionale?

Si një nga momentet e rëndësishme të karrierës sime do të veçoja periudhën që drejtova, Njësinë e Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, e krijuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga qershori i vitit 2007 deri në prill të 2010. Së bashku me një grup të ngushtë prokurorësh dhe oficerësh të policisë gjyqësore, ia dolëm të vinim para përgjegjësisë penale, një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të nivelit të mesëm dhe të ulët. Rezultatet e kësaj Njësie patën ndikim në procesin e liberalizimit dhe heqjes së vizave, si dhe ndihmuan në përmirësimin e pozicionit të Shqipërisë në Raportin e Transparency International.

Cili ka qenë mësimi më i vështirë, por më i vlefshëm që keni marrë në jetën tuaj personale apo profesionale? Keni ju ndonjë filozofi tuajën për të ruajtur ekuilibrin?

Filozofia ime është e thjeshtë: të bësh çdo ditë më të mirën tënde, me ndershmëri, drejtësi dhe qetësi, dhe pastaj t’ia lësh kohës të flasë.

PYETJET PROFESIONALE

E keni nxehur politikën në Shqipëri. Hetime sa majtas e djathtas. Në opinionin politik ekziston shprehja se SPAK po kthehet në një forcë politike me ndërhyrjet e mëdha në drejtuesit e dy kampeve. Nga njëra anë hetime në qeveri, në anën tjetër në opozitë. Kanë ndonjë lloj të drejte?

Perceptimet mbeten perceptime. Faktet janë të rëndësishme. SPAK po kryen veçse detyrën që Kushtetuta dhe ligji i ngarkon dhe nuk ndjek asnjë agjendë politike. Ne shikojmë zhvillimin e hetimeve paraprake, faktet e mbledhura, respektojmë afatet dhe pastaj dërgojmë çështjen për gjykim. Si prokurorë ne përpiqemi të kryejmë hetime shteruese, të ngremë një akuzë të fortë, por është gjykata që vendos për fatin e mëtejshëm të një çështjeje.

Aktualisht nga statistikat zyrtare rezulton se në Shqipëri ka më shumë të paraburgosur që ndodhen në burg se të dënuar. Avokatët e të pandehurve, subjekte të SPAK në mënyrë të vazhdueshme pretendojnë se masa e sigurimit “arrest në burg” aplikohet pa kriter nga SPAK edhe kur nuk është e nevojshme. Mendoni se aplikimi i kësaj mase ka më tepër synim efekt ndëshkueshmërie sesa garantimi hetimi?

Për ta saktësuar nuk është SPAK që cakton masat e sigurimit. Ato caktohen nga gjykata. Çdo prokuror, para se t’i drejtohet gjykatës me një kërkesë për caktimin e masës së sigurimit, arsyeton se cila është nevoja për të caktuar masën e sigurimit të arrestit në burg. Për vitin 2024, numri i të paraburgosurve për llogari të hetimeve që ndjek Prokuroria e Posaçme është 9.7% e totalit të paraburgosurve në Republikën e Shqipërisë.

Po t’i referohemi të dhënave, masa e sigurimit, “arrest me burg”, është aplikuar në 82% të rasteve për subjekte të krimit të organizuar dhe vetëm 13.5%, për subjekte të hetuar për vepra penale në kuadër të korrupsionit. Nga ana tjetër, rreth 40% e totalit të personave janë hetuar në gjendje të lirë pa masë sigurimi. Nga personat e hetuar pa masë sigurimi rreth 41%, i përkasin veprave penale të korrupsionit, dhe vetëm 12% e tyre i përkasin atyre që lidhen me krimin e organizuar.

Media raportoi në muajin mars të këtij viti se SPAK, pa një vendim gjykate vuri në përgjim një anëtar të gjykatës kushtetuese për periudhën 10 – 25 shkurt. Bëhet fjalë për rastin e gjyqtarit Gent Ibrahimi, për të cilin pretendohej se ishte pjesë e hetimit për ndikim në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. E marr në konsideratë reagimin e institucionit kur thatë se nuk kishit asnjë gjyqtar në hetim, por ndërkohë, ka një reagim edhe të Gjykatës Kushtetuese për ndërhyrje në pavarësinë e saj. Si është e vërteta e këtij rasti?

Së pari, nenet 279 dhe 287 të Kodit të Procedurës Penale përcaktojnë qartë se të dhënat e regjistrit të njoftimeve të veprave penale dhe aktet hetimore përbëjnë “sekret hetimor”, deri në momentin që i komunikohen zyrtarisht të pandehurit. Bazuar në këtë dispozitë, Prokuroria e Posaçme nuk mund të ndajë me institucione apo palë të treta, që nuk janë subjekte të procedimit penal, informacion mbi ekzistencën apo mosekzistencën e procedimeve penale.

Së dyti, Prokuroria nuk ka juridiksion për të vlerësuar apo kontrolluar vendimet e gjyqtarëve në çështjet konkrete, si vendimet e gjykatave të zakonshme, ashtu edhe të Gjykatës Kushtetuese, kjo në përputhje me nenet 126 dhe 137 të Kushtetutës dhe Vendimit nr.11, datë 2.4.2008 të Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, sipas neneve 148 dhe 148/dh të Kushtetutës, si dhe neneve 24, 75/a dhe 277 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria e Posaçme ka kompetencë të ndjekë penalisht sjelljet jashtëgjyqësore të gjyqtarëve nëse ekzistojnë dyshime për kryerjen e veprave penale, përfshirë dhe “Korrupsionin pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, apo çdo vepër penale tjetër që mund të jetë kryer nga personat që përfshihen në rrethin e subjekteve të parashikuar në nenin 75/a, shkronja (c), të Kodit të Procedurës Penale.

Veprimet e përgjimit sipas rastit kryhen gjithmonë në përputhje me nenet 221 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me autorizim të prokurorit ose të Gjykatës së Posaçme, dhe kontrollohen nga Gjykatat e Posaçme. Këto dispozita ligjore sigurojnë se veprimet e SPAK kryhen gjithmonë brenda juridiksionit dhe kompetencave të parashikuara ligjërisht, duke ruajtur gjithmonë pavarësinë e gjyqësorit dhe mbrojtjen e të drejtave të individëve.

Sekuestrimi i telefonave celularë jo vetëm i të pandehurve apo personave nën hetim, por edhe i dëshmitarëve nga SPAK, madje edhe telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike të gazetarëve ka pasur gjithashtu kritika. Madje Gjykata Kushtetuese ka konsideruar shkelje në rastin e gazetarit Elton Qyno. Cila ka qenë qasja juaj në këtë drejtim dhe a keni reflektuar në sjellje pas vendimit të GJK?

Kontrolli i banesës dhe ai personal është një nga mjetet e kërkimit të provës që parashikohet në Kodin e Procedurës Penale. Përmes këtij mjeti të kërkimit të provës synohet të sekuestrohen prova materiale, në interes të hetimit të procedimit penal. Çdo mjet kërkimi prove përdoret në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale, duke respektuar detyrimet që rrjedhin nga dispozitat konkrete.

Për të ardhur tek rasti konkret, ju bëj të ditur se Gjykata Kushtetuese vëren se Kodi i Procedurës Penale nuk parashikon të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të ndërmjetme për kontrollet, por vetëm për sekuestrimet e provave materiale. Ajo i sugjeron ligjvënësit të plotësojë legjislacionin në këtë drejtim (par. 28). Kërkesa e kërkuesit për cenim të lirisë personale u rrëzua, pasi nuk ishin respektuar kriteret e formës dhe afateve procedurale për paraqitjen e saj (par. 35). Gjykata pranon se kufizimi ishte “me ligj” dhe “për një qëllim legjitim”, por konstaton se nuk ka qenë proporcional (par. 54–58). Gjithashtu, Gjykata urdhëron shkatërrimin vetëm të të dhënave të sekuestruara nga kompjuterët, USB-të dhe hard disqet, pa përfshirë në këtë urdhër të dhënat nga celularët (par. 73). Jemi shumë të vëmendshëm si ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ashtu edhe ndaj vendimeve të gjykatave të çdo niveli dhe padyshim që i zbatojmë ato duke reflektuar parashikimet e këtyre vendimeve në kryerjen e veprimeve hetimore.

Një ndër akuzat që përmendet më së shumti në përfundim të mandatit tuaj është se patët sukses të bazuar në rezultatet e SKY ECC dhe Enchrochat, përdorimi i të cilave – duhet thënë – është juridikisht ende i debatueshëm në Europë. Nëse nuk do të kishit këto të dhëna, a do të ishin njësoj të suksesshme procedimet tuaja?

Të dhënat e përftuara nga SKY ECC kanë qenë shumë të rëndësishme për zbardhjen e veprimtarisë së organizatave kriminale dhe grupeve kriminale me shtrirje ndërkombëtare. Përmes bashkëpunimit me partnerët tanë evropianë kemi arritur të identifikojmë struktura të trafikut të drogës, të pastrimit të parave dhe të kontrabandës së mallrave etj. Por dua të theksoj se krahas të dhënave të përftuara nga “SkyECC”, prokurorët e posaçëm kanë mbledhur dhe analizuar edhe prova të tjera në funksion të provueshmërisë së akuzës.

Këto prova kanë shërbyer në ngritjen e akuzave konkrete si edhe në sekuestrimin e aseteve të paligjshme në vlera të konsiderueshme. Mbi bazën e të dhënave të “SkyECC” janë regjistruar rreth 60 procedime penale në Prokurorinë e Posaçme. Këto çështje janë në fazën e hetimeve paraprake apo të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe atë të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Sa i takon përdorimit të këtyre të dhënave në proceset penale, ne tashmë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar kërkesat e një prej të hetuarve, për t’i shpallur si të papërdorshme këto prova. Për debatin ndërkombëtar lidhur me përdorimin e këtyre të dhënave, më duhet të them se Gjykatat e disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku ne do të anëtarësohemi, i kanë pranuar si prova në proces.

Po përmend këtu shtete si; Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Italia, Kroacia, Spanja, Norvegjia, Suedia etj, që kanë lejuar përdorimin e këtyre provave në proceset penale. Suksesi i luftës kundër krimit të organizuar është një fakt i pamohueshëm dhe nuk është bazuar vetëm në hetimin e procedimeve penale, ku është përdorur “SkyECC”. SPAK ka punuar krah për krah me shtete të ndryshme, përmes Skuadrave të Përbashkëta Hetimore, ku duhet theksuar se që nga krijimi i tij, SPAK ka nënshkruar 48 marrëveshje për krijimin e Skuadrave të Përbashkëta Hetimore. Vetëm për vitin 2024, kemi pasur 10 Skuadra të Përbashkëta Hetimore me Gjermaninë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjën, Kosovën dhe Ekuadorin. Duhet cilësuar se disa nga Skuadrat e Përbashkëta Hetimore, ku ka marrë pjesë SPAK, janë cilësuar nga EUROJUST-i ndër më të mirat dhe Shqipëria renditet si shteti me numrin më të madh të skuadrave në rajon.

Gjithashtu SPAK ka bashkëpunuar me agjenci të tjera partnere, përmes kryerjes se hetimeve paralele, shkëmbimit të informacionit spontan, ekzekutimit të kërkesave për ndihmë juridike etj. SPAK ka përdorur në hetimet e tij, mjete dhe teknika speciale hetimi si; agjentë të infiltruar, blerjet e simuluara, bashkëpunëtorët e drejtësisë (që nga krijimi i SPAK janë të paktën 12 të tillë), dorëzimin e kontrolluar, etj., të cilët kanë dhënë rezultate shumë te prekshme në luftën kundër krimit te organizuar. Për ta ilustruar më mirë efektivitetin e punës së SPAK, do t’ju jap një shifër tjetër interesante.

Në vetëm 5 vite, SPAK ka regjistruar më shumë procedime dhe persona nën hetim për krimin e organizuar dhe korrupsionin sesa Prokuroria për Krimet e Rënda në 15 vite, duke reflektuar një rritje me rreth 35% më shumë çështje dhe 30% më shumë persona nën hetim në një periudhë tre herë më të shkurtër.

Përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar janë vlerësuar nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe më gjerë. Gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm bashkëpunimi me vende të Amerikës Latine përmes shkëmbimit të informacioneve, provave apo edhe hetimeve të përbashkëta. Aktualisht kemi lidhur 6 Marrëveshje bashkëpunimi me 6 shtete të Amerikës Latine dhe Karaibet.

Do t’ju bëj dy pyetje brenda njërës sepse janë për të njëjtën çështje: Ju shqetëson lideri i opozitës Sali Berisha që del çdo javë para dyerve të SPAK me akuza, duke ju deformuar edhe emrin? E ndërkaq, ai, (nënkupto opozita) ju akuzon se keni vonuar qëllimisht hetimin e rastit të gjyqtares Irena Gjoka? Pse nuk ka përfunduar ende hetimi kur tashmë kanë kaluar disa muaj? Nuk mendoni që publiku meriton të dijë nëse një gjyqtar i GJKKO është i përshtatshëm për të vijuar detyrën? Aq më tepër kjo, kur vendimet e dhëna mund të jenë të cënueshme në vijim…

Unë nuk komentoj qëndrime politike dhe SPAK nuk angazhohet në debate jashtë misionit të tij kushtetues. Hetimet nuk drejtohen nga afatet politike as nga presioni publik, por nga parimet që lidhen me ligjshmërinë e hetimit. Hetimi për çështjen në fjalë vijon dhe çdo hap po kryhet në përputhje me procedurën penale. SPAK është plotësisht i vetëdijshëm për interesin publik, por nuk mund të japë konkluzione pa përfunduar hetimi.

Peshqit e mëdhenj janë në rrjetën e SPAK. Të paprekshmit janë pas hekurave në paraburgim, por jo të dënuar: Ilir Meta, Ilir Beqaj, Erion Veliaj, drejtorët e bashkisë së Tiranës, ish-kryetarë bashkie…ish-zv.kryeministri në kërkim të Azilit. Megjithatë, në opinion ekziston ideja se cështjet nuk janë të forta: Erion Veliaj nuk u hetua për inceneratorët, por për “të mbathurat” e bashkëshortes; Arben Ahmetaj, e filluat për inceneratorët, por përfunduat nëpër pllakat e vilave të tij, Ilir Meta, jo për çështje të tijat, por për kartat e ish-bashkëshortes. Keni ngritur çështje solide hetimi, apo vërtet jemi në kushtet kur ka pretendime se këto çështje mund të bien…

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, le t’i kthehemi shifrave. Sipas të dhënave, sot, numërohen rreth 76 zyrtarë të nivelit të lartë të hetuar nga SPAK (ku përfshihen zv.kryeministra, ministra, zv.ministra, deputetë, sekretarë të Përgjithshëm, drejtorë të disa drejtorive, kryetarë të disa bashkive , prefektë, gjyqtarë, prokurorë, oficerë të lartë policie etj), nga ku rreth 50% prej tyre kanë marrë dënime me vendim gjykate të formës se prerë. Pjesa tjetër janë ne proces hetimi dhe gjykimi. Sa i takon procedimeve penale ndaj të cilëve ju përmendët më sipër dua të sqaroj se të gjithë akuzohen ndërmjet të tjerave edhe për veprat penale të korrupsionit për veprime të kryera nga ana e tyre gjatë ushtrimit të funksioneve publike. Mjafton të lexohen aktet e njoftimit të akuzës dhe do të konstatohet me lehtësi ky fakt si dhe shumat e konsiderueshme të përfitimit të parregullt. Gjithashtu në secilin prej procedimeve penale në ngarkim të këtyre të pandehurve do të shihni se janë sekuestruar pasuri në vlera të mëdha, pasuri që dyshohen se janë produkt i veprës penale.

Çështja e mikrokredive, është një prej më të përfolurave në media dhe e ndjeshme për publikun për mijëra viktima sociale që ka shkaktuar dhe një viktimë që u vetëvra përballë SPAK, i ndjeri Pal Trashaj. Ju si drejtues nuk e keni përmendur ndonjëherë përveçse në rastin e komisionit të ligjeve kur thatë se çështja ka shkuar në gjykim për 15 të pandehur, e hetuar veç nga një prokuror, rivali juaj në 2022 për kryeprokuror, Edvin Kondili. Por ka edhe një çështje tjetër që hetohet nga Dorina Bejko ndaj Guvernatorit të Bankës. Ju nuk keni qenë në asnjërën prej tyre. Pse kjo shmangie? Mos druheni se prekni “tela” që kanë korrent pushteti, apo ka ndonjë shkak tjetër?

Hetimet kanë përfunduar dhe çështja gjendet për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Janë dërguar për gjykim 16 shtetas dhe 4 persona juridik si dhe janë sekuestruar 420 milionë lekë dhe 1.3 milionë euro krahas dy subjekteve financiare si dhe pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të tyre. Çështja tjetër që ju përmendni është në fazën e hetimit paraprak dhe nuk mund të jap asnjë të dhënë apo informacion.

Çështja “Bankers” është një tjetër hetim i fortë ku ndërthuret pasuria më e vyer e shqiptarëve, ajo e nëntokës, që nuk kanë përfituar prej saj, por edhe politikave të disa qeverive a qeveritarëve. Ku është prokuroria me këto hetime?

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për veprat e mëposhtme penale: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 181/a, 287, 28, 260, 248, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe nuk mund të jap asnjë të dhënë apo informacion.

A është e vërtetë që SPAK ka sekuestruar telefonin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ilir Proda? Nëse po, nuk është ky një element që cënon bashkëpunimin prokurori-polici? Pse nuk ka një qartësim për këtë çështje?

SPAK nuk jep informacione mbi veprime hetimore që janë në zhvillim, të çfarëdolloj natyre qofshin ato. Ky është detyrim ligjor, jo zgjedhje. Në çdo rast, veprimet ndërmerren ndaj cilido qoftë, një zyrtari të lartë, funksionari publik apo qytetari të thjeshtë, kryhen duke u mbështetur në ligj dhe vetëm mbi bazën e provave.

A mendoni se në balancën mes kënaqjes se opinionit publik për ndëshkimin e të pa ndëshkueshmeve dhe respektimit të garancive ligjore ka prevaluar e para, në dëm edhe të së dytës?

SPAK nuk funksionon për të kënaqur opinionin dhe as për të prodhuar perceptime. Detyra jonë është të respektojmë garancitë ligjore dhe përmes kësaj të kryejmë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin si edhe në detyrim të qytetarëve. Prandaj prevalon gjithmonë respektimi i procedurave, as shpejtësia dhe as pritshmëritë.

A ka SPAK kapacitete të mjaftueshme për të hetuar krimin ekonomik dhe pastrimin e parave që kalon përmes bankave, basteve apo kompanive të ndërtimit?

Tashmë krahas hetimit penal, ne bëjmë edhe hetimin financiar. SPAK ka 12 hetues financiarë, që mbështesin prokurorët në çështjet që ne hetojmë. Krimi ekonomik është dinamik, i sofistikuar dhe kalon shpesh edhe kufijtë. Ne bashkëpunojmë edhe me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, veç institucioneve përgjegjëse në vend. Mendoj se kemi shënuar hapa përpara, megjithatë përmirësimi është një proces i vazhdueshëm në kohë.

Më kanë thënë se nuk dëgjoni akuza, nuk shihni emisione, nuk e ndjeni perceptimin e opinionit publik. Por duke qenë se po ju bëj këtë intervistë më lejoni t’ju them se në publik ekziston ideja se po hetoni dhe çoni para gjykatës kriminelë apo të paprekshëm, por pasurive të tyre nuk i ka ndodhur gjë. Dhe flas më shumë për politikanët, sepse për sekuestrim asetesh kriminale që rrjedhin nga krimi keni pasur goxha rezultat…

Procesi i identifikimit, sekuestrimit dhe më tej konfiskimit të pasurive me origjinë kriminale i nënshtrohet një procesi të mirëfilltë hetimi pasuror me qëllim sigurimin e provave dhe të dhënave të mjaftueshme mbi paligjshmërinë e krijimit të tyre. Hetimi pasuror në shumicën e rasteve kryhet si në procedimet penale me natyre korruptive ashtu dhe në ato të krimit të organizuar. Vetëm në vitin 2024, sekuestrimet dhe konfiskimet e aseteve kriminale arritën në 65.5 milion euro, me një rritje prej 60% krahasuar me vitin 2023. Këto përfshijnë pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe transaksione me kriptovaluta. Sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive të rreth 17 zyrtarëve të lartë gjatë periudhës kohore, janar 2020 deri tani, arrin në rreth 37 milionë euro pasuri.

Cila ka qenë mbështetja më e madhe institucionale ndaj SPAK?

Së pari, po e nis me qytetarët. Dua t’i falenderoj përzëmërsisht për mbështetjen dhe besimin dhe ne jemi përpjekur me të gjitha forcat t’i justifikojmë. Vlerësim për partnerët tanë ku duhet të veçoj, projektet e ndryshme të Bashkimit Europian, Europol, Eurojust, agjencitë e ndryshme të Shteteve të Bashkuara si ICITAP, OPDAT, FBI, DEA, Prokurorinë Antimafia Itali, NCA dhe agjencitë partnere të shteteve të tjera, të cilët nuk janë kursyer me asistencën e tyre teknike. Kjo jo vetëm e rriti institucionin por e shndërroi SPAK-un në një partner të barabartë mes agjencive të njohura të zbatimit të ligjit në Europë dhe më gjerë. Këshillin e Lartë të Prokurorisë për reagimet në mbrojtje të prokurorëve, në ditë të vështira për prokurorët e posaçëm dhe SPAK. Policinë e Shtetit për hetimet dhe ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave të Posaçme. Shoqërinë Civile, për diskutimet konstruktive. Gazetarët dhe median për pasqyrimin e punës sonë, duke e bërë atë të dukshme dhe të kuptueshme për publikun.

Nëse do t’ju kërkoja të formulonit një kritikë për punën e prokurorëve të SPAK, cila do ishte? Si do tu përgjigjeni kritikave se SPAK po shndërrohet në një “institucion spektakli”, më shumë për perceptim publik sesa për rezultat përfundimtar gjyqësor?

Prokurorët e SPAK janë profesionistë, por të gjithë mendojmë si të përmirësohemi çdo ditë. Hetimet tona mbështeten vetëm në ligj. Spektakli ndodh jashtë nesh, në politikë, media, rrjete sociale. E rëndësishme për ne është të paraqesim në gjykatë një çështje të mbështetur në prova dhe fakte. Puna e institucionit është e matshme përmes rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Cilat janë raportet tuaja me kryeministrin Edi Rama? E keni takuar ndonjëherë ‘tete a tete’? Ka po ashtu një perceptim nën rrogoz se mes jush dhe kryeministrit ka kanale komunikimi për çështje të ndryshme…thuhet se disa njerëz ikin nga pozicione të larta sepse dihet se do të kalojnë dyerve të SPAK…

Raportet e mia me çdo zyrtar politik, përfshirë kryeministrin, janë vetëm institucionale. Disa pyetje, besoj nuk janë për mua si Drejtues i Prokurorisë së Posaçme.

Përfundimi i mandatit tuaj po shoqërohet me një lloj entuziazmi nga zyrtarët që e kanë frikë drejtësinë, sepse thuhet se “juve nuk ua gjen dot anën”; por shoqërohet me një keqardhje nga opinioni publik se ndëshkueshmëria nuk do të jetë më në këto nivele. E ndjeni këtë perceptim? Çfarë do të bëjë Altin Dumani në vazhdim?

Unë jam i fokusuar te detyra e prokurorit, e cila do të vijojë edhe përtej Prokurorisë së Posaçme, pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar në SPAK.

Si ju duk zgjedhja e zotit Braho si drejtues i Prokurorisë së Posaçme, pasi në media dhe opinionin publik është diskutuar se ishte zgjedhja juaj?

Zgjedhja e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme është kompetencë dhe proces i cili administrohet tërësisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Asnjë prokuror i posaçëm, përfshirë edhe Drejtuesin, nuk kanë asnjë rol në këtë proces. Të katërt kandidatët janë prokurorë të SPAK, secili ka vlerat dhe kontributet e tij të padiskutueshme për ecurinë e kësaj Strukture. Zoti Braho ishte njëri prej tyre dhe i uroj suksese në këtë detyrë me shumë përgjegjësi dhe sfida për të ardhmen.

Numri 52 i Revistës Newsbomb.al ka dalë në treg prej datës 20 Dhjetor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!