Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën mëngjesin e sotëm, pasi dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën në një lokal në qytet.
Autori i dyshuar i masakrës, Ragip Gilla, është arrestuar nga policia disa kilometra larg vendit të ngjarjes, në zonën e njohur si “Zalli i Kirit”.
Pas kryerjes së krimit, Gilla është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “BMW”.
Gjatë arratisë, ai ka shkaktuar një aksident rrugor me një tjetër automjet, duke tërhequr vëmendjen e forcave të rendit.
Ajo që e bëri edhe më të dyshimtë ishte fakti që ai vijonte të mbante skafandër në kokë, edhe pse ndodhej në tokë dhe jo mbi motor, çka ndihmoi policinë në identifikimin dhe ndjekjen e tij.
Në përpjekje për t’u fshehur, Gilla ka braktisur automjetin pranë lumit të Kirit dhe është larguar në këmbë, me armën ende në krah. Pas një ndjekjeje intensive dhe rrethimi nga ana e policisë, ai është arrestuar.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa motivet e krimit ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.