‘Ditë të Zeza’ për Noizyn! Disa vepra penale te rënda, prokuroria në Zvicër bën kërkesën e rëndë

Një lajm i bujshëm ka tronditur jo vetëm botën e muzikës, por edhe opinionin publik shqiptar dhe diasporën në Zvicër. Reperi i njohur shqiptar, Rigels Rajku, i njohur nga publiku me emrin artistik Noizy, është ndaluar në Aeroportin e Cyrihut të shtunën e kaluar, me urdhër të Prokurorit Publik për Krime të Rënda dhe të Dhunshme të kantonit të Cyrihut.

Sipas raportimeve të medias zvicerane Watson.ch, ndaj artistit është kërkuar zbatimi i masës së paraburgimit, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi natyrën e akuzave me të cilat ai përballet. Megjithëse autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë detaje të plota, burimet konfirmojnë se ndaj Noizyt rëndojnë disa vepra penale të cilat po hetohen në kuadër të një sërë procedurash të hapura.

Reperi ndodhej në Zvicër për një koncert të planifikuar në klubin e njohur “Rinora 4” në Rümlang, një lokal i njohur për publikun shqiptar në diasporë. Por performanca u anuluar në momentet e fundit, ndërsa rrjetet sociale dhe faqja zyrtare e klubit hoqën çdo njoftim që lidhej me eventin, duke rritur misterin rreth situatës së krijuar.

Artisti, një nga emrat më të ndjekur të muzikës moderne shqiptare, ka mbi 3.9 milionë dëgjues në platformën Spotify dhe mbi 2 milionë ndjekës në Instagram, duke e renditur ndër figurat publike më me ndikim në mbarë hapësirën shqipfolëse. Ai njihet jo vetëm për karrierën e tij muzikore, por edhe për lidhjet me figura të rëndësishme publike, përfshirë edhe bashkëpunimet me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili është ngjitur disa herë në skenë krah tij, veçanërisht gjatë fushatës elektorale dhe eventeve publike.

Në reagimin e parë zyrtar, autoritetet zvicerane kanë kujtuar se Noizy, si çdo qytetar, gëzon prezumimin e pafajësisë deri në shpalljen e një vendimi përfundimtar nga ana e drejtësisë. Deri më tani, nuk ka asnjë deklaratë nga vetë artisti apo nga përfaqësuesit e tij ligjorë.

Ngjarja ka ndezur debat në rrjetet sociale, ku fansat e reperit dhe opinioni publik kërkojnë transparencë mbi arsyet e ndalimit dhe zhvillimet e mëtejshme. Mbështetësit e artistit kanë shpërndarë mesazhe solidariteti, ndërsa të tjerë kërkojnë që drejtësia të zbardhë çdo detaj për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një keqkuptim apo për një çështje serioze penale.

Autoritetet zvicerane nuk kanë përcaktuar ende një datë për vendimin nëse ndaj reperit do të vazhdojë masa e paraburgimit apo nëse do të lirohet në pritje të hetimeve. Ndërkohë, pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për zbardhjen e të vërtetës rreth një prej çështjeve më të përfolura të momentit.