Kujtim Cakrani, avokati i policit Ardian Isufi tha në emisionin “Now” në Euronews Albania se linçimi publik që po i bëhet klientit të tij pa u zbardhur e gjithë e vërteta është padrejtësi.
Ai tregoi se pronari i resortit ku ndodhi ngjarja ka hedhur në media vetëm pjesën e pamjeve nga ngjarja që i intereson atij, ndërkohë që dhuna barbare e ushtruar ndaj policit nga mbi 10 persona është fshehur.
Sipas Cakranit, shkak i ngjarjes ka qenë vetëm kamarieri 18-vjeçar, i cili sipas tij, është treguar joetik në komunikimin me klientët.
“Ka pasur një konflikt mes djalit kamarier që ka qenë shkaktari i të gjithë kësaj problematike dhe nuk ka përdorur një etike siç duhet të përdoret ndaj 2 klientëve. Po mbroj policin se ka qenë jashtë shërbimit dhe nuk e dinte këtë histori. Ai djalë pa e përshëndetur një fjalor që nuk më pëlqen ta them, e dëgjon ngritur policin që i thotë djalit të ndalet dhe ti flasësh ashtu, nuk ke të drejtë. Pasi ndodhi ngjarja situata është tensionuar, sepse filloi një lloj ndjekje dhe një nervozizëm total. Ai klienti që ishte efektiv policie, rezulton që i ndjek në këmbe, ndërkohë dhe vendos t’i kallëzojë në polici. U bë kallëzimi dhe më pas policia shkon se e kishin të vështirë të gjenin punonjës. Pas dy orësh, marrin rreth 10-12 persona bashkë me personin që kishte goditur për të sqaruar se çfarë kishte ndodhur. Polici sot është në gjendje shumë të rëndë në spital. Ai person që ka goditur policin është një urgjencar. Kanë shkëputur vetëm ato sekuenca të videos që i kanë interesuar pronarit dhe vazhdon të qarkullojë në media”, tha Cakrani.