Podcastin e kësaj jave kryeministri Edi Rama e nisi duke shpjeguar arsyet e vizitës së tij në Izrael , pak ditë më parë, ku ishte i ftuar nderi në seancën plenare të Parlamentit izraelit, Knesset.
Duke e cilësuar një ftesë të rrallë me një peshë të jashtëzakonshme politike dhe historike, Rama theksoi se kjo vizitë është një vlerësim i madh për Shqipërinë, historinë e saj dhe rolin human që shqiptarët luajtën gjatë periudhave të vështira të historisë.
“Këtë javë isha në Izrael i ftuar nderi në seancën plenare të Parlamentit të Izraelit, Knesset, një nder që bëhet rrallë dhe që mbart një peshë të jashtëzakonshme politike dhe historike, në këndvështrimin e ligjvënësve të atij vendi. Në Jeruzalem, ishte Shqipëria që u vendos në piedestalin e respektit dhe përtej emocionit të madh personal, akoma edhe më i fortë ishte një emocion kombëtar, sepse ajo ftesë ishte një vlerësim i madh për Shqipërinë, për historinë e saj dhe për mënyrën se si gjyshërit tanë ditën të sillen kur historia vuri në provë njerëzimin dhe për natyrisht atë që Shqipëria është sot në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar fjalës së mbajtur në Knesset, Rama u shpreh se ishte zëri i një populli që nuk dorëzoi askënd.
“Fjala ime në Knesset ishte fjala e një populli në fakt, që nuk dorëzoi askënd dikur dhe që sot, nga zemra e Izraelit, mundi të flasë me qartësi për dinjitet njerëzor, për kujtesë paqeje dhe për përgjegjësi në një botë të trazuar, ku feja duhet të jetë melhem dhe jo helm mes popujve dhe në gjirin e popujve”.
Gjatë vizitës në Izrael, Rama njoftoi edhe themelimin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Izraelite, e cilësuar si një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe hapjes së rrugëve të reja për të ardhmen e përbashkët.
“Në Izrael, ne hodhëm edhe një hap konkret drejt së ardhmes me themelimin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Izraelite, një instrument i ri bashkëpunimi që hap rrugë të reja për të ardhmen e përbashkët”.
Sipas Kryeministrit, Izraeli përbën një referencë të rëndësishme për Shqipërinë për shkak të zhvillimit, ekspertizës dhe arritjeve në fusha si teknologjia, bujqësia dhe siguria, duke e konsideruar këtë vizitë si një gur themeli për bashkëpunimin e së nesërmes.
“Kjo vizitë në thellësinë e vet kishte një përmbajtje të atillë që i shërben, jo vetëm arsyeve pse u bë, por i shërben edhe të nesërmes, si një gur themeli për të ecur së bashku si një rrugë, ku ka plot arsye të paktën për ne nga ana jonë që t’i referohemi Izraelit, si një vend me zhvillim të jashtëzakonshëm, si një vend me ekspertizë të jashtëzakonshme, si një vend me realitete të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë, në fushën e bujqësisë, në fushën e sigurisë padiskutim dhe për të gjitha këto arsye unë jam vërtet krenar për atë që u bë në javën që lamë pas”, u shpreh Rama.