Mijëra postime në rrjetet sociale ku festohet vrasja e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk po sjellin pasoja për autorët e tyre.
Aktivistë të djathtë dhe zyrtarë republikanë kanë nisur një fushatë të ashpër për të identifikuar e ndëshkuar ata që kanë bërë komente të tilla, raporton CNN.
Aktivistja Laura Loomer dhe faqja “Expose Charlie’s Murders” kanë bërë publike profilet e përdoruesve që kanë reaguar me gëzim për vdekjen e Kirk.
Sipas faqes, janë mbledhur mbi 30,000 raportime dhe së shpejti do të krijohet një bazë të dhënash ku emrat mund të kërkohen sipas vendit dhe profesionit.
Mediat amerikane shkruajnë se mes tyre ka edhe shqiptarë që jetojnë në SHBA, të cilët tashmë rrezikojnë të përfshihen në këto lista dhe të bëhen objekt ndëshkimi.
Disa nga përdoruesit e ekspozuar publikisht thonë se po marrin kërcënime serioze. Ndërkohë, një punonjës në Universitetin e Tenesit u pushua menjëherë nga puna pasi deklaroi se nuk kishte “asnjë keqardhje” për vdekjen e Kirkut.
Presidenti Donald Trump reagoi duke kritikuar mediat dhe tha se largime të tjera nga puna do të ndodhin.
Charlie Kirk, 31 vjeç, u vra më 10 shtator gjatë një aktiviteti publik në Utah, ngjarje që ka ndezur debate dhe tensione politike në SHBA.