Dorëheqje apo mashtrim? Statuti i LDK-së nxjerr në hall Lumir Abdixhikun

Lidhja Demokratike e Kosovës është përfshirë në një debat të brendshëm juridik dhe politik pas vendimit të Lumir Abdixhikut për të ofruar dorëheqjen. Ndonëse zyrtarët e partisë po e quajnë “proces votëbesimi”, Statuti i LDK-së flet ndryshe. Insajderi sjell një zbërthim të Nenit 27 dhe dilemën: A po tentohet të shmanget procesi zgjedhor?

Pas rezultatit të dobët të zgjedhjeve të fundit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ofruar dorëheqjen e tij para strukturave të partisë. Megjithatë, ajo që në publik po shitet si “akt moral”, po del të jetë një procedurë që është në kundërshtim me “kushtetutën” e brendshme të partisë – Statutin.

Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, në një paraqitje televizive, u mundua ta cilësojë këtë si një “votëbesim të paraparë me statut”. Por, një vështrim i thjeshtë në Nenin 27 të dokumentit bazë të LDK-së, tregon se partia po ecën në një “teh të hollë” mes interpretimit politik dhe rregullave strikte.

Dilema e Nenit 27: Dorëheqje apo Votëbesim?

Statuti i LDK-së bën një dallim të prerë që nuk lejon shumë hapësirë për “kreativitet”.

Votëbesimi (Neni 27.1): Është një proces ku Kryetari kërkon votëbesimin e Kuvendit të LDK-së për të vazhduar mandatin. Nëse merr besimin, ai vazhdon punën normalisht, nëse jo shkarkohet nga detyra.

Dorëheqja (Neni 27.3): Është akt vullnetar i pakthyeshëm.

Sipas Nenit 27.4, në momentin që kryetari jep dorëheqje, LDK-ja është e obliguar të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm brenda 60 ditëve.

Burime të Insajderit brenda partisë bëjnë me dije se po tentohet që “dorëheqja” e Abdixhikut të votohet dhe të mos pranohet në Kuvend.

Por, Statuti nuk parasheh asnjë votim për pranim/mospranim të dorëheqjes.

Nëse Abdixhiku ka dhënë dorëheqje, ai nuk mund të “votohet” për të mbetur në detyrë pa hapur procesin e rregullt zgjedhor. Çdo tentim për ta quajtur këtë thjesht “votëbesim”, është proces antistatutar.

Nëse ndiqet rruga e dorëheqjes, hapi i vetëm ligjor i LDK-së është thirrja e Kuvendit të Përgjithshëm brenda dy muajve. Çdo rrugë tjetër, ku dorëheqja shndërrohet në një “proces besimi” brenda zyrave të partisë, e lë Abdixhikun me një legjitimitet të kontestuar statutarisht.

Mbetet e paqartë se mbi cilën pikë specifike po thirret Kryetari i LDK-së, kur një akt vullnetar si dorëheqja, po tenton të kthehet në një mekanizëm për të qëndruar në karrigen e të parit të partisë, përmes “votëbesimit”.

/Insajderi