Kodi i ri Penal parashikon burg edhe për dhunë gjatë ndeshjes, deri te tifozët nga “mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve”.
Neni 410: Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv
Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv apo çdo personi të lidhur me veprimtarinë sportive, kryer për shkak të saj, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në mjedise sportive, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Në çdo rast, gjykata jep dënimin plotësues të ndalimit të autorit për të marrë pjesë në veprimtari sportive për një periudhë deri në pesë vjet.
Neni 411: Veprimet e dhunshme në veprimtaritë sportive
Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të veprimtarisë sportive, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në nëqind mijë lekë.
Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të veprimtarisë sportive, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, ose lëndë të ngjashme në veprimtari sportive, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Kur nga kjo vepër e përmendur në paragrafin e tretë është dëmtuar ose goditur person që ndodhet në mjediset sportive, autori dënohet me burgim nga një vit në të dytën e masës së dënimit të përcaktuar për veprën.
Në çdo rast, gjykata jep dënimin plotësues të ndalimit të autorit për të marrë pjesë në veprimtari sportive për një periudhë kohore deri në pesë vjet.