Dy ditë para Kuvendit të LDK-së, Isa Mustafa thyen heshtjen për herë të parë

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda LDK-së dhe debatet për rezultatin zgjedhor, dorëheqjet dhe udhëheqjen e partisë, shkruan Gazeta Infokus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Mustafa ka thënë se kjo parti ka potencial dhe se nuk i nevojiten ndarje të reja.

Ai ka bërë të ditur se ka pasur kërkesa nga media të ndryshme për t’u prononcuar për situatën aktuale në LDK, por ka zgjedhur të mos përfshihet në debate publike për çështje që, sipas tij, duhet të trajtohen brenda organeve vendimmarrëse të partisë.

Mustafa thekson se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor është çështje etike dhe nuk zgjidhet përmes deklarimeve të degëve, simpatizantëve apo individëve të ndryshëm në publik.

“Kam shumë kërkesa nga media të ndryshme të deklarohem për rrjedhat aktuale në LDK. Jam munduar të mos involvohem me opinione për çështje të rezultatit zgjedhor, në debate për dorëheqje apo se kush duhet të jetë e kush të mos jetë në krye të LDK-së, duke konsideruar se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike, nuk është çështje e testimit dhe liçencimit. Se kjo zgjidhet në organet vendimmarrëse të LDK-së; jo në deklarimet e ndonjë dege, të ndonjë simpatizanti, josimpatizanti apo të ndonjë debutueseje boshe se kush duhet të shkojë e kush jo nga LDK. Në LDK problemet më së paku mund të zgjidhen me tifozllëk, andaj format e tilla të propagandës e deformojnë demokracinë dhe mund ta bëjnë Kuvendin e thirrur arenë të përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së, e cila akoma nuk është shëruar nga një Kuvend i tillë i para njëzet viteve”, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe Kuvendi i LDK-së do të mblidhet më 31 janar për ta zgjedhur kryetarin e ri./Gazeta Infokus/.