“DYSHI BËHET NJËSH!” Lladrovci zbulon prapaskenat e rrezikshme: Kush po përgatitet t’i marrë timonin Bedri Hamzës

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka paralajmëruar se PDK-ja ka nevojë për ndryshime në strukturat e partisë për të siguruar rezultate më të mira në zgjedhjet e ardhshme.

Ai ka theksuar se veprimet e kryetarit të partisë, Bedri Hamza, do të vendosin nëse partia do të shmangë një rezultat të njëjtë me atë të fundit.

“Normalisht, duke filluar të heq të ricikluarit e përjetshëm nga skema e të pazëvendësueshmëve, të largojë nga vendimmarrja konformistët, oportunistët dhe bjerrakohësit partiakë. Nuk është e lehtë që të bëhen ndryshime, aq më pak në një parti me traditë, kontribues e meritokraci të theksuar, por, nëse nuk e bën ndryshimin z. Hamza, është i rrezikuar në dy mënyra, ose për ta larguar nga lidershipi e ta zëvendësojnë, ose e lejojnë të prijë, por, do ta sabotojnë sërish në fushatë për ta sjellë në nivel edhe më të ulët të votave”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk bëhen ndryshime të thella brenda partisë, PDK-ja mund të pësojë një rezultat më të dobët, duke rrezikuar votat në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Ashtu doli, dy deputetë më pak, nga 24 në 22. Pas dështimeve të njëpasnjëshme të qeverisë ku opozita ishte më shumë dekor se sa ofruese e alternativave për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin, rezultati është i pakënaqshëm. Prandaj, për rezultate më të mira të PDK-së, kërkohen veprime më të mira. Nëse z. Hamza nuk vepron, qofsha i gabuar, por, kam informata se do të veprojnë ata që janë të kënaqur me veten dhe me partinë. Këta mund të bëjnë rirreshtim brenda listës së fundit të PDK-së ku dyshi bëhet njësh, në emër të disiplinës partiake dhe kinse të imponuar nga rrethanat”, ka shkruar ai.

Lladrovci ka kritikuar gjithashtu kryetarin Hamza për mungesën e vullnetit për ndryshim dhe përfshirjen e ideve të reja.

“Për të pasur rezultat tjetër, më e pakta duhen ndryshime në vendimmarrjen e PDK-së, brenda subjektit politik i cili bart përgjegjësi historike të shtetformimit e shtetndërtimit. Sigurisht, strukturat ekzistuese, nuk po mund i japin përkrahjen meritore liderit të partisë, për shkak të shumë rrethanave. Meritokracia e nivelit qendror përcillet nga dështimet në degë, organizimin e mangët me strukturat, mos përfshirjen e ideve të reja në vizionin e platformës zgjedhore. Tjetër rrethanë është mungesa e ballafaqimit me qeverisjen aktuale, mungesa e vullnetit për beteja të qëndrueshme e kauza politike”, ka shkruar ai.

Ai ka komentuar edhe vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e presidentit Vjosa Osmani.

“Mendoj se edhe Gjykata Kushtetuese për nga natyra dhe funksioni, çështjen e presidentit dhe shpërndarjen e Kuvendit mund ta trajtojë si llastikun. Kjo çështje nuk e përmirëson gjendjen e PDK-së dhe të Kosovës, gjendje të cilat nuk vlerësoj si të mira dhe qytetarët presin më shumë nga të gjithë ne. PDK, nuk guxon të ndalet!”, ka shkruar Lladrovci në rrjetin social Facebook.