‘E kandidoi në Tiranë pa e pyetur dhe i hoqi…’, Manastirliu ia plas në sy Ramës: Çfarë më thanë burri e vajza..

Kryeministri Edi Rama ftoi në podcastin “Flasim” Ogerta Manastriliun, së cilës gjatë bisedës i tregoi edhe arsyen se përse vendosi ta kandidonte në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, madje pa e njoftuar dhe pa e pyetur.

Nga të gjitha anketimet, Rama tha se Manastriliu ishe kryetarja e bashkisë që shumica donte.

“Tani dua të them dhe unë një gjë këtu. Je dëshmitare, në gjithë këtë rrugëtim të gjatë, që unë i analizoj shumë gjërat që kanë lidhje me vendimet; dhe kur vjen puna te ndarja e detyrave, ka dy kategori vendimesh lidhur me detyrat.

Njëra është kategoria e vendimeve kur është shumë e rëndësishme se çfarë mendojnë njerëzit; dhe njëra është kategoria e vendimeve që ti nuk mund ta dish se çfarë mendojnë njerëzit, sepse duhet të marrësh përsipër risk lidhur me njerëz të rinj që ti nuk mund t’i pyesësh njerëzit: “A mendoni ju që Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur për QSUT?”

Por ama, kur vjen puna te kandidatura për deputet, gjithnjë flas për atë pjesë të njerëzve që duhet të jenë “shalqi me provë”, jo për pjesën e më të rinjve – është shumë e thjeshtë, të paktën mua më është bërë shumë e thjeshtë, si nga eksperienca, edhe nga zhvillimi që kemi bërë me sondazhet dhe me anketimet;

dhe ti e di shumë mirë që kemi bërë anketime të vazhdueshme dhe dimë çfarë mendojnë njerëzit për temat, për shqetësimet, edhe, në një farë mënyre, dimë edhe si t’i interpretojmë.

Dhe, në rastin konkret, në të gjitha anketimet dhe në të gjitha rrugët e testimit të opinionit, ti ishe kryetarja e bashkisë që shumica donte – me diferencë nga çdo lloj emri tjetër që kemi testuar – dhe kam dhe dëshmitarë për këtë. Kjo ishte arsyeja që unë s’kisha ç’të pyesja, edhe pse prapë do pyesja; por, domethënë, kjo ishte akoma më e thjeshtë.

Besoj se Tirana do të ketë jo vetëm të parën grua kryetare bashkie në historinë e vet, por një kryetare bashkie që nuk do mbetet jashtë atij grupi njerëzish që, në këtë qytet, kanë bërë histori”, tha Rama.