Një konflikt i vjetër mes dy adoleshentëve ka përfunduar tragjikisht në Maliq, ku një 14-vjeçar humbi jetën pas një goditjeje me mjet prerës nga një bashkëmoshatar i tij.
Sipas dëshmive të shokëve, mes të dyve kishte patur një debat verbal që prej kohësh, i cili kishte krijuar tensione të vazhdueshme.
Në rrjetet sociale, pak kohë para ngjarjes, autori kishte publikuar një foto ku pozonte me një armë gjahu tip çifte, shoqëruar me mbishkrimin “Unë do shfaqem kur nuk ta pret mendja”.
Ai njihej në komunitet si një adoleshent problematik, që shpesh krijonte situata konfliktuale me moshatarët.
Të dy të rinjtë janë takuar rastësisht në një lokal të fshatit.
Gjatë bisedës, njëri prej tyre ka kërkuar sqarim për çështjet e mëparshme, por debati është përshkallëzuar dhe autori i dyshuar ka nxjerrë nga xhepi një mjet prerës, me të cilin ka goditur viktimën. I mituri është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vijon kërkimet për gjetjen e mjetit prerës të përdorur në krim.