Pas një periudhe të gjatë me temperatura ekstreme, Shqipëria pritet të shënojë një ndryshim gradual të motit duke nisur nga dita e enjte. Kjo u konfirmua nga meteorologia Anira Gjoni në një intervistë për Euronews Albania, ku ajo shpjegoi se vala e të nxehtit do të fillojë të tërhiqet.
Sipas parashikimeve, të enjten temperaturat do të zbresin në 34 gradë Celsius, ndërsa të premten ato pritet të arrijnë deri në 32 gradë. Megjithëse një rritje e lehtë do të ketë të shtunën (rreth 35 gradë), Gjoni theksoi se “temperaturat ekstreme që kemi parë këtë gusht nuk do të rikthehen në ditët në vijim.”
Situata e zjarreve: Shkaku mbetet njerëzor, rënia e temperaturave sjell shpresë
Gjoni e lidhi situatën e nxehtë të ditëve të fundit me përhapjen e zjarreve, por theksoi se faktori kryesor i tyre mbetet veprimi i qëllimshëm ose pakujdesia njerëzore. “Nuk janë temperaturat 41–42 gradë Celsius që shkaktojnë zjarrvënien, nuk kemi kushtet ideale për vetëndezje,” tha ajo, duke nxjerrë në pah rëndësinë e ndërgjegjësimit qytetar.
Rënia e pritshme e temperaturave gjatë fundjavës parashikohet të ndihmojë në stabilizimin gradual të situatës. Aktualisht, pothuajse të gjitha qarqet e vendit paraqesin rrezikshmëri të lartë për përhapje zjarresh, duke përfshirë zona si jugu i Shkodrës, Lezha, Kukësi, Elbasani dhe Tirana, ku zonat jugore mbeten më të ekspozuara ndaj flakëve.