Pasi në rrjet qarkulluan disa pamje ku ish-banorja e edicionit të katërt të “Big Brother VIP Albania”, Egli Tako, shihej e afërt me një djalë në një bar buzë plazhit, rrjeti u mbush me hamendësime se ajo ka nisur një histori të re dashurie.
Këto aludime erdhën vetëm pak ditë pasi Egli ishte shprehur publikisht se është beqare dhe e lumtur.
Nëpërmjet disa postimeve në Instastory, Egli ka reaguar ashpër duke mohuar zërat dhe duke bërë thirrje për respektimin e privatësisë së saj dhe të personave që e rrethojnë.
“Unë nuk ndryshoj as shoqërinë dhe as qasjen time me ta vetëm sepse sot gëzoj më shumë ndjekës. Jam e njëjta Egli si për ta, ashtu edhe për mua. Këtë nuk e ndryshojnë dot gojët e liga,” shkruan ajo në një nga postimet, duke paralajmëruar se ky do të jetë reagimi i fundit publik për këtë çështje, ndërsa në të ardhmen do të veprojë në rrugë ligjore.
Në një tjetër Instastory, Egli iu drejtua disa mediave dhe komentuesve me tone të ashpra:
“Ky reagim sot shkon vetëm për respekt të jetës dhe privatësisë së rrethit tim shoqëror, që nuk ua ka fare borxh. Mjaft me shpifje dhe trillime, stop, mjafton!”
Ajo gjithashtu u shpreh se nuk do t’i japë më asnjë shpjegim publik për jetën e saj private dhe i kujtoi ndjekësve të mos mendojnë se do ta ekspozojë kaq lehtë një lidhje, edhe nëse do ta kishte.