Një nga zakonet më normale në kuzhinë është shpëlarja e mishit para se të vihet në zjarr, veçanërisht kur bëhet fjalë për mish pule apo viçi.
Por sipas Meredith Carothers, specialiste për edukim në sigurinë ushqimore, larja e mishit nuk i heq bakteret, por përkundrazi ndihmon në përhapjen e tyre.
“Kur shpëlani mishin në lavaman, bakteret që ndodhen në sipërfaqen e tij mund të përhapen në sipërfaqet përreth, enë, peceta apo ushqime të tjera”, shpjegon Carothers në një intervistë për Better Homes & Gardens.
Autoritete të tjera si CDC dhe FDA mbështesin këto këshilla, duke theksuar se mënyra e vetme për të eliminuar mikrobet e rrezikshme, si salmonela apo E. coli, është gatimi në temperaturën e rekomanduar. Për mishin e pulës, kjo është 74°C (165°F).
Kjo praktikë, që shpesh përcillet brez pas brezi si një “hap i domosdoshëm” për pastërtinë, nuk ka asnjë bazë shkencore. Përkundrazi, mund të kthehet në burim infeksionesh, veçanërisht në ambiente ku përgatiten ushqime të tjera në të njëjtën kohë.
Ekspertët rekomandojnë që mishi të gatuhet direkt pa u shpëlarë, dhe që pas përgatitjes të pastrohen duart, thikat, dërrasat e prerjes dhe sipërfaqet e punës për të shmangur ndotjen. Nëse ka nevojë të thahet sipërfaqja e mishit, mund të përdoren peceta letre të cilat më pas duhet të hidhen menjëherë.
Në thelb, ajo që shihet si veprim për pastrim, në fakt përhap ndotjen. Carothers thotë qartë: “Në vend që të bëni mishin më të sigurt, larja e tij vetëm sa e rrit rrezikun për ju dhe familjen tuaj.”