Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën dy motrave, Elvisa dhe Rozina Dhimaku 22 dhe 20 vjeç. Mësohet se mbrëmjen e djeshme, ato kishin marrë lejë tek prindërit për të pirë një kafe në Sarandë, duke marrë me vete edhe shoqen e tyre, Antonela Zhupa, e cila mbeti e plagosur.
Madje ato donin të merrnin edhe vëllain e tyre të vogël 10 vjeç, i cili është i sëmurë, por që babai i kishte thënë se “është i lodhur”.
Babai dhe mamaja e tyre i la vajzat të shkonin ndërsa gjyshja u tha që mos ikni se, “ kam parë një ëndërr të keqe”.

Autori i aksidentit, 23-vjeçari Kevi Norra, banor i Gjirokastrës, është arrestuar nga policia. Burime zyrtare bëjnë me dije se, pas testit të alkoolit, rezultoi se i riu ishte në gjendje të dehur.
Dy viktimat ishin motrat më të mëdha të familjes Dhimaku, me banim në fshatin Kopaçez.
Në familje është hapur dera e mortit, ndërsa lajmi ka shokuar komunitetin lokal. Prindërit e vajzave kujdeseshin edhe për një djalë 10-vjeçar, i cili vuan nga leuçemia, duke e bërë situatën familjare edhe më të rëndë.
Ndërkohë, e plagosura e aksidentit, 24-vjeçarja Antonela Zhupa, ka marrë trajtim të menjëhershëm në spitalin e Sarandës. Sipas mjekëve, ajo ka pësuar politrauma, por është jashtë rrezikut për jetën. Për një trajtim më të specializuar, ajo është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Njoftimi:
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.