Në selinë e Turning Point USA në Arizona, transmetimi përkujtimor për Charlie Kirk nisi me disa minuta heshtje, ndërsa kamera tregonte karrigen e tij të zbrazët.
Më pas, gruaja e tij, Erika Kirk, foli me lot në sy dhe nisi me një lutje, duke falenderuar ekipet mjekësore që u përpoqën ta shpëtonin, stafin e organizatës dhe Shtëpinë e Bardhë.
“Zoti President, im shoq ju donte. Dhe ai e dinte që edhe ju e donit atë,” tha ajo, duke falënderuar gjithashtu senatorin J.D. Vance dhe bashkëshorten e tij për shoqërimin e arkivolit në Arizona. “Por mbi të gjitha, Charlie i donte fëmijët e tij. Dhe më donte mua, me gjithë zemër. Dhe më bëri të sigurt që e dija këtë çdo ditë.”
Në një moment më të fortë, ajo iu drejtua atyre që i quajti “të ligët”: “Nuk keni asnjë ide për zjarrin që keni ndezur tek kjo grua; britmat e kësaj veje do të dëgjohen në të gjithë botën si thirrje lufte. Nëse menduat se misioni i tim shoqi ishte i fuqishëm më parë, nuk keni asnjë ide çfarë sapo keni shkaktuar.”
Erika Kirk theksoi se turneu universitar i bashkëshortit të saj do të vazhdojë edhe gjatë vjeshtës, ashtu si dhe podkasti i tij. Ajo foli edhe për fëmijët e tyre të vegjël, duke përcjellë një mesazh për ta: “Zemër, babi të do shumë. Mos u shqetëso. Ai është në një udhëtim pune me Jezusin.”
Charlie Kirk, 31 vjeç, ishte një prej figurave më të zëshme konservatore në SHBA, i njohur për qëndrimet kundër abortit, mbështetjen për armëmbajtjen dhe kritikat ndaj të drejtave të komunitetit transgjinor, duke e bërë një figurë shumë të debatuar në jetën publike amerikane.