Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen që tronditi fshatin Frashër në Patos të Fierit, ku vajza vrau babain me tel dhe më pas u ndihmua nga e ëma për të fshehur krimin.
Kryeplaku i fshatit, në një prononcim për Top Channel, është shprehur se të gjithëve në zonë u ka ardhur keq për vrasjen e 56-vjeçarit, Anesti Rama. Ai e përshkruan viktimën si një njeri punëtor dhe i qetë, ndërsa shton se ka pasur probleme në familjen Rama dhe se gruaja me vajzat e linin pa bukë të ndjerin. Ndër të tjera, kryeplaku tha se ka qenë dëshmitar okular kur familjaret e dhunonin.
“Anesti ka qenë burrë i mirë, punëtor, por ka pasur probleme familjare me gruan, fëmijët. Nuk shkonte mirë. Arrinte sa e linin pa bukë të shkretin, ankohej tek unë. ‘Duan të më nxjerrin nga shtëpia’ më thoshte. Ata merrnin ndihmë ekonomike, i kam ndihmuar sa kam mundur.
Kush e di sa herë ka shkuar policia në shtëpinë e tyre. Unë nuk dija gjë, kur shkova afër banesës ishin ata të krimeve aty. Thanë se i kishte rënë infarkt, por e kishin mbytur. Na ka ardhur të gjithëve keq, se ishte djalë pa llafe, punëtor. Ato nuk e trajtonin mirë. Viktima punonte në një firmë private.
Ai vetëm ankohej i shkreti. E rrihnin, godisnin në syrin tim. Ça të them unë… ato ha, pi, rri dhe punonte ai i shkreti. Jemi të prekur shumë si fshat. Janë tre vëllezër këta. Njëri prej tyre e mori në Greqi ku punoi atje dhe bëri shtëpinë. Familja i thoshin ‘ik nga shtëpia, s’të duam’.”, tha ai për Top Channel.
Fqinji i Anesti Ramës, i cili u vra një ditë më parë nga vajza e tij në fshatin Frashër të Fierit tha se famijarët e trajtonin shumë keq.
Ai u shpreh për korrespodentin e Top Channel, Neritan Trifoni se ai nuk dinte të shkruante dhe lexonte dhe se vajza e gruaja kishin prokurë që t’i tërhiqnin rrogën që merrte nga puna që bënte në firmë.
Fqinji: Nuk e trajtonin fort mirë, punonte në një firmë, ai nuk dinte shkrim e këndim, e kishin bërë me prokurë që të tërhiqnin lekët nga banka, ajo që thotë vajza që nuk më jepte lekët janë rrena, gënjeshtra, hanin ça u donte qejfi, unë si komshi kur kisha naj kontakt i thoja e ushqeni apo jo se ishte dobësuar shumë, thoshin jo i japim, mund t’i kenë edhe gënjeshtra, i bërtiste, ziheshin shumë, debate, dëgjohej zëri deri këtu. Para disa vitesh kam pasur vetë kontakt policie, u ankuan ata për dhunë ndaj të shoqit, ai nuk ishte i dhunshëm, ata e vunë para, ai ishte njeri dede, e trajtonin shumë keq, gratë punonin nëpër sera, punonin dhe siç punonin ashtu i bënin rrush e kumbulla, sot kishin nesër nuk kishin, para disa ditësh erdhi bisedoi me ne, bëmë shaka, ai ishte njeri që nuk ngacmonte, punonte me rrogë mujore, nuk ishte i dhunshëm, as alkoolist.
Pse mund ta kenë bërë?
Fqinji: Karakteri i dobët i njeriut, njerëz të paditur, njerëz me psikologji të dobët, ajo çupa ishte pak…, çfarëdo gjëje që ndodhte në fshat merrte pak zjarr, kurse e ëma kishte vite që nuk e donte, këtej e 20 vite ajo nuk flinte me bashkëshortin.
Atë e kishin nxjerrë në dhomë tjetër?
Fqinji: Po në një dhomë tjetër flinte, flinte veç, një dhomë e vogël./ Top Channel