Gjykata del me një REAGIM – Pse Mefail Shkodra dhe i biri u liruan nga paraburgimi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka sqaruar vendimin për lirimin nga paraburgimi të Mefail Shkodrës dhe djalit të tij, të arrestuar për fajde një vit më parë.

Sipas njoftimit zyrtar, gjykata ka dhënë detaje mbi kohën e caktimit dhe vazhdimit të masave të paraburgimit për të dy të pandehurit.

Fillimisht, më 21 qershor 2024, gjyqtari i procedurës paraprake mbajti seancën dëgjimore dhe përmes aktvendimit caktoi masën e paraburgimit prej një muaji për M.Sh. dhe E.Sh., për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.

Më pas, më 15 korrik 2024, Departamenti Special pranoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të dyshimeve për vepra të tjera penale: “Fajdeja”, “Detyrimi”, “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” sipas nenit 277 paragrafi 2 në lidhje me nenin 1 të KPRK-së, si dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” sipas nenit 364 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kërkesa e Prokurorisë u aprovua më 18 korrik 2024 dhe paraburgimi u vazhdua edhe për dy muaj të tjerë nga 21 korriku deri më 21 shtator 2024.

Po ashtu, më 12 shtator 2024, Prokuroria Speciale kërkoi edhe një vazhdim tjetër të paraburgimit, i cili u aprovua më 19 shtator 2024, duke zgjatur masën deri më 21 nëntor 2024.

Ndryshimi ndodhi më 8 tetor 2024, kur Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, pranoi propozimin e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e paraburgimit me masën e dorëzanisë.

Për të pandehurin M.Sh. u caktua dorëzani në vlerë prej 50,000 euro, ndërsa për E.Sh. në vlerë prej 20,000 euro.

Gjykata e aprovoi propozimin dhe urdhëroi vendosjen e hipotekës mbi njësi kadastrale, ku ndodhen dy objekte, si garanci për shumën totale prej 70,000 euro.

Kjo shumë u propozua nga Prokuroria Speciale për të siguruar zbatimin e masës së dorëzanisë për të dy të pandehurit.