Gjykata jep VENDIMIN për ish-presidentin e vendit Ilir Metën

Gjykata e Apelit e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-presidentin Ilir Meta. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë u konfirmua me arsyetimin se pozita e Metës është rënduar dhe ekziston rreziku i prishjes së provave ose i intimidimit të dëshmitarëve.

Mbrojtja e Metës dhe akuzat ndaj gjyqtarit
Mbrojtja e Metës argumentoi në ankimim se rreziku i përmendur nuk ekziston, pasi hetimet janë mbyllur dhe dëshmitarët kanë dhënë tashmë deklarimet e tyre, shumica e të cilëve janë larguar nga Partia e Lirisë dhe janë afruar me Partinë Socialiste.

Meta akuzoi gjyqtarin Erjon Çela për paragjykim dhe cenim të prezumimit të pafajësisë, duke e cilësuar vendimin si një precedent të rrezikshëm.

Ilir Meta akuzohet nga SPAK për tri vepra penale: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.