“Huni 18”, Zbulohet kuptimi rrëqethës i xhaketës së Gjestit në klip, detajet rrëqethëse që nuk u vunë re

Gjesti u rikthye dhe ishte një rikthim që të gjithë e kishin pritur me padurim. Kur një artist kthehet pas një humbjeje të tillë, publiku pret të kuptojë ku ka qenë zemra e tij gjithë këtë kohë.

Fakti që kënga i kushtohet vëllait të ndjerë nuk del si shënim anësor i biografisë. Është boshti i projektit. “Memories” duket më shumë si një kujtesë se sa të rënda mund të jenë kujtimet kur bëhen e vetmja mënyrë për të qenë pranë dikujt.

Videoklipi hapet ftohtë dhe errët, me një atmosferë që të kujton netët kur trupi rri shtrirë, por mendja nuk pushon së menduari. Gjesti shfaqet i shtrirë, në një atmosferë që të jep ndjesinë e një nate të gjatë, pa gjumë.

Ndryshe nga çdo projekt i Gjestit, në këtë klip mungojnë ngjyrat.

Një nga detajet që ka tërhequr më shumë vëmendje është xhaketa e motoçiklistit me mbishkrimin “Huni 18”, një simbol i drejtpërdrejtë kujtese dhe një referencë që lidhet me faktin se vëllai i artistit ishte me motor në momentin e aksidentit fatal.

Klipi ndërkohë e çon rrëfimin edhe në një kënd lojërash, duke krijuar atë efektin e kthimit pas në kohë, aty ku kujtimet janë ende të gjalla. Është ai kontrast i fortë që e bën këngën më të ndjerë: një vend ku dikur jeta është shijuar në maksimum, tani shfaqet si një hapësirë ku mungesa bëhet edhe më e dukshme.

Pantollonat me mbishkrimin “Joker” janë metaforë e errësirës që ai po përjeton, e asaj dhimbjeje që në pamje të parë mund të duket e fshehur, por që realisht është e veshur me të zeza dhe s’ka ku të shkojë.

“Krejt ca ka met, ka met, tash vec kujtime… Cdo natë t’menoj e s’mun t’ndaj prej jetës time… S’mujta m’i majt, m’i majt, ato premtime… Po ti mu falma që s’ja fali vetes time.” -thotë ai në refren, si në një dialog të brendshëm ku ke gjithmonë diçka që do doje ta kishe bërë ndryshe.