“I thashë se…” – Sherr me policët për të takuar Ramën, e moshuara shqiptare cudit të madh e të vogël

Një incident i pazakontë ka ndodhur sot në Vlorë, ku një 82-vjeçare, e identifikuar si Katina Thanasi, është përplasur me forcat e Policisë të cilët nuk e lejonin të takohej me Kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së tij në qytet.

Në një prononcim për Euronews Albania, e moshuara ka rrëfyer të gjithë ngjarjen dhe shqetësimin që kishte dashur t’i ngrejë kryeministrit Rama. Zonja Thanasi u shpreh se prej dy vitesh e gjysmë i është drejtuar kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredha, me kërkesën për pastrimin e një kanali dhe një toke pranë pronës së saj, pasi ajo rrezikohet nga zjarri. Sipas saj, deri më sot nuk është marrë asnjë masë nga ana e bashkisë.

“Ç’ndodhi? Ja ndodhi ajo që erdhi Rama, unë isha aty dhe do shkoj ta takoj thashë. Më rrethuan policët, shtyj ata, shtyj unë. Jam 82 vjeçe, Katina Thanasi. Shumë e vështirë përplasja, do të të arrestojmë më thanë. I thashë nuk më arrestoni dot se s’kam bërë ndonjë gjë, as kam vjedhur asgjë. Megjithatë, ju e keni në dorë. Qe një police vajzë dhe 5 polica të tjerë, por ishin të shëndoshë dhe shtyj ata, shtyj unë. Por, ikur Rama për poshtë. ‘Rama mos ikë, Rama mos ikë’ i thash unë, se të dua. Pastaj, atje më poshtë qëndroi Rama dhe më mbajtën këta policët, por unë i shtyva me dorë dhe u drejtua këtej Rama nga unë dhe më tha pse bërtet. Bërtas i thashë unë se ky kryetari që po rri këtu me ty kam dy vite e gjysmë që i vete për pastrimin e kanalit dhe të tokës këtuja se do më bjerë zjarri dhe nuk vjen. Këtë shqetësim kam, të më pastrohet kanali dhe toka atje,” – ka treguar zonja Thanasi.

Kjo ngjarje tregon përpjekjet e dëshpëruara të qytetarëve për t’u dëgjuar nga autoritetet, madje duke u përballur edhe me forcat e rendit për të arritur tek përfaqësuesit më të lartë të qeverisë. Shqetësimi i zonjës Thanasi lidhur me rrezikun e zjarrit në pronën e saj mbetet ende i pazgjidhur.