Ilnisa Agolli rrëfen prapaskenat e lidhjes me Meritonin: “E pa gjithë Shqipëria që rash me dikë që kishte..”

Në edicionin e tretë të Big Brother VIP Albania, emri i Ilnisa Agollit u kthye në një ndër më të lakuarit e spektaklit. Gazetarja dhe prezantuesja, e njohur për fjalorin e saj të pasur dhe mendimet pa filtra, për pak muaj u transformua në një fenomen televiziv që ndau publikun mes atyre që e duartrokitën dhe atyre që e kritikuan ashpër.

Por Ilnisa Agolli nuk qëndroi vetëm në qendër të vëmendjes për rrugëtimin e saj profesional. Brenda mureve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri, ajo përjetoi një histori dashurie me prezantuesin Meriton Mjekiqi, një lidhje që nga momenti i parë pushtoi titujt e portaleve dhe studiot televizive. Një romancë që, ashtu siç u kritikua fort brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj u komentua me dyshime, por që për shumëkënd pritej të përfundonte me një fund të lumtur.

Mirëpo realiteti rezultoi më i ashpër. Ndjenjat, ndonëse të sinqerta brenda lojës, nuk ishin të mjaftueshme për të mbijetuar jashtë asaj bote të monitoruar nga kamerat. Ilnisa, në një rrëfim të sinqertë, pranoi se krijimi i kësaj lidhjeje nuk ishte pjesë e planeve të saj, dhe nëse do ta ribënte edhe një herë, do të ishte më e kujdesshme dhe e kontrolluar.

“Ishte një çast i vështirë për mua, kisha njerëz kundër, askush nuk më kuptonte, ndieja që nuk më donin. Në një moment shumë të dobët timin, pashë një njeri që aty brenda mund të ketë qenë i vërtetë, por realiteti ta zbardh ndryshe historinë. Në terren nuk funksionoi. U kënaqa për aq sa zgjati,” tha ajo, duke lënë të kuptohet një pendesë të qartë për mënyrën si u zhvillua gjithçka.

“Brenda asaj shtëpie humb filli i arsyes. Je me njerëz që nuk i zgjedh dot,” shtoi Agolli, duke reflektuar mbi presionin dhe izolimin që ndjen çdo banor në një realitet artificial.

Në një koment që ka ngjallur reagime, Ilnisa tha hapur:
“Ke rënë në dashuri me dikë me IQ më të vogël se vetja?”
“Po,” – u përgjigj ajo. “E pa e gjithë Shqipëria.”

Me këtë deklaratë, ajo la të kuptohet se diferencat intelektuale kanë ndikuar fort në dështimin e marrëdhënies, duke nënvizuar edhe më shumë zhgënjimin e saj.

Sa i përket rrugëtimit të saj në Big Brother VIP, ajo thekson se do të kishte zgjedhur një strategji më të rafinuar nëse do t’i jepej mundësia të rikthehej. “Do të bëja një super skemë, do të ruaja balancat brenda formatit. Nëse do të më ndeshte rruga me njerëzit që shtiren, do të bëja të njëjtën zgjidhje,” shprehet Ilnisa, duke lënë të hapur edhe mundësinë e rikthimit në këtë format nëse do bënte një edicion ‘all stars’.

Rrëfimi i saj vjen si një reflektim i thellë jo vetëm për lojën brenda një reality show, por edhe për pasojat që një moment dobësie mund të ketë në imazhin dhe jetën reale të një personazhi publik. Një mësim që Ilnisa Agolli duket se e ka paguar shtrenjtë, por që, siç tregon, e ka forcuar për kapitullin e radhës në karrierën e saj televizive.