“JA SA MË PAGUAN”, Ilir Vrenozi zbulon shifrën e majme: Sa kushton hyrja në Big Brother?

Ish-banori i Big Brother VIP Albania 5, Ilir Vrenozi, ka reaguar me tone të forta ndaj zërave që kanë qarkulluar së fundmi, sipas të cilëve ai “është shitur” te Top Channel dhe po bashkëpunon me Ervin Salianji.

Përmes një videoje, ku nuk mungojnë deklaratat e ashpra, Vrenozi ka sqaruar publikisht pozicionin e tij dhe prapaskenat financiare të hyrjes në shtëpinë më të famshme në vend. Ai thekson se marrëveshja nuk ka pasur lidhje me përfitime personale apo pazare politike, por ka ardhur si pasojë e një nevoje urgjente familjare.

Sipas tij, kushti për t’u bërë pjesë e formatit lidhej drejtpërdrejt me situatën shëndetësore të bashkëshortes dhe motrës së tij. “U thashë qartë: duhet ta largoj bashkëshorten nga puna që të kujdeset për motrën e sëmurë, ndërsa unë do të isha brenda. Ata më thanë se do ta mbulonin atë pagë. Ishin fiks 600 mijë lekë të vjetra,” u shpreh Vrenozi, duke sqaruar se shuma shërbente për të kompensuar mungesën e të ardhurave gjatë kësaj periudhe.

I indinjuar nga akuzat e faqeve anonime që e etiketojnë si tradhtar të PD-së, ai ka mohuar kategorikisht çdo ndryshim qëndrimi politik, duke insistuar se veprimet e tij janë diktuar vetëm nga rrethanat e mbijetesës dhe përgjegjësitë familjare. Vrenozi shkoi deri në betime ekstreme për te vërtetuar besnikërinë e tij politike: “Më vdekshin fëmijët nëse gënjej.”

Me këtë reagim, Vrenozi synon të bindë mbështetësit se nuk ka ndryshuar kahje politike dhe se gjithçka ka qenë e detyruar nga situata personale.