Pas një kërkimi mbi 30 orësh për gjetjen e autorit të vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, ngjarja mori një kthesë të papritur: babai i Tyler Robinson e dorëzoi të birin tek autoritetet.
Pas publikimit të fotove të të dyshuarit, babai i Robinson e pyeti drejtpërdrejt djalin: “Tyler, je ti ky?”. 22-vjeçari pranoi duke thënë: “Po, unë e kam vrarë”. Ai madje shtoi se do të preferonte të vriste veten sesa të dorëzohej, por pas këshillës së babait dhe ndërhyrjes së një pastori, informacioni mbërriti tek FBI dhe autoritetet e Utah County.
Robinson u arrestua pak orë pas një konference ku kërkohej ndihma e publikut. Guvernatori i Utah-së, Spencer Cox, tha se ishin marrë mbi 7,000 pista nga qytetarët, ndërsa theksoi se shteti do të kërkojë dënimin me vdekje për të.
Hetimet zbuluan se Robinson kishte shprehur hapur kundërshtimin ndaj Kirk, kishte dërguar mesazhe në “Discord” dhe u identifikua përmes pamjeve të sigurisë ku shihej me makinën e tij, një Dodge Challenger gri. Ai përdori një pushkë bolt-action dhe gëzhojat e mbetura mbanin mbishkrime provokuese.
Tashmë 22-vjeçari ndodhet në paraburgim pa mundësi lirimi dhe pritet të dalë në gjyq të martën. Arrestimi i tij u bë i mundur falë rolit vendimtar të babait dhe një miku të familjes, të cilët e denoncuan tek autoritetet, duke mbyllur një nga ndjekjet më intensive të ditëve të fundit në SHBA.