“Jam në.” Gjesti i kërkoi falje gjykatës, zbulohet dëshmia e tij e dhimbshme para prokurorisë sot

Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, është lënë në paraburgim për një muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Vendimi vjen pas një incidenti të ndodhur pak ditë më parë në zyrat e kompanisë “Onima”, ku artisti dyshohet për kanosje, dëmtim të pasurisë dhe mbajtje pa leje të armës.

Gjatë seancës dëgjimore, Gjesti ka shprehur pendesë, duke pranuar se veprimet e tij kanë qenë në gjendje afekti.“Jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit si dhe palës së dëmtuar”, ka deklaruar ai.

Mbrojtja e tij, e përfaqësuar nga avokati Artan Qerkini, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke argumentuar se reagimi ishte impulsiv dhe i ndikuar nga situata financiare e vështirë e artistit. Avokati ka shtuar se Gjesti nuk ka pasur aktivitete muzikore kohët e fundit dhe është i gatshëm të hyjë në marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Sipas raportimeve nga “Betimi për Drejtësi”, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje për një borxh të pashlyer. Dëshmitarët kanë rrëfyer se artisti ka hyrë në zyrat e kompanisë, ka dëmtuar kompjuterë e xhama dhe ka nxjerrë armë duke kërcënuar stafin.

Gjykata ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë si të bazuar, duke marrë parasysh rrezikun e ikjes, ndikimin në dëshmitarë dhe mundësinë e përsëritjes së veprës penale. Masa e paraburgimit do të zgjasë nga 11 marsi deri më 9 prill 2026./Shqip