Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Samitin dyditor mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Shkup, ku ka shprehur optimizmin e tij të fortë për ecurinë e vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në BE.
Në prononcimin e tij, Rama theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen sot në një moment historik, më afër se kurrë realizimit të aspiratës së tyre shumëshekullore për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. “Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh Kryeministri Rama.
Fjalët inkurajuese të Ramës u pasuan nga vlerësimi i Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila iu drejtua personalisht Kryeministrit shqiptar duke theksuar progresin e dukshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit. Kos vuri në dukje se Shqipëria ka hapur tre kapituj të rinj negociatash në vetëm gjashtë muajt e fundit, duke e falënderuar Ramën për ndikimin e tij pozitiv në procesin e zgjerimit. Ajo shprehu besimin se nëse Shqipëria vazhdon me këtë ritëm, ka mundësi reale që të hapë të gjithë kapitujt e mbetur deri në fund të këtij viti. “Shqipëria, i nderuar zoti kryeministër Edi Rama, hapi tre kapituj në gjashtë muajt e fundit. Ju faleminderit që ndikuat në procesin e zgjerimit. Nëse vazhdoni kështu do të mund të hapim të gjithë kapitujt këtë vit. Siç thashë dje mezi pres ta festoj hapjen e kapitullit të fundit,” deklaroi Komisionerja Kos.
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Shqipëria ka hapur zyrtarisht negociatat për Klusterin 3, “Konkurrenca dhe rritje gjithëpërfshirëse” në maj të vitit 2025. Kjo vjen pas hapjes së Klusterit 6 “Marrëdhëniet e Jashtme” në dhjetor 2024, Klusterit 2 “Tregu i Brendshëm” në prill 2025, dhe më herët Klusterit 1 “Themelore”. Me hapjen e Klusterit 3, që përfshin tetë kapituj të tjerë, Shqipëria ka arritur në total 24 kapituj të hapur nga 33 gjithsej, duke tejkaluar Serbinë në numrin e kapitujve të hapur. Qeveria shqiptare ka deklaruar ambicien e saj për të hapur të gjitha klasterat e mbetura deri në fund të vitit 2025, për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027 dhe për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.
Ky progres i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian është pritur me optimizëm nga autoritetet shqiptare dhe Bashkimi Evropian, duke shpresuar se vendi mund të bëjë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në vitet e ardhshme.