Jeton me qira, ZBARDHET PASURIA e Princ Lekës, nga kulla te ish-hotel Dajti te pronat miliona euro

Ish-këshilltari i familjes mbretërore, Murat Basha ka zbuluar në Repolitix në Report Tv detaje nga pasuria e Princ Lekës. Basha tha se po ndërtohet një pallat pas hotel Dajtit. Basha tha se kanë edhe prona të paluajtshme.

“Nuk e di sa është pasuria sepse për natyrë nuk pyes kurrë për gjëra të tilla. Prona kanë shumë, disa të marra disa të pamarra. Nuk kam ide shifrash, është në gjendje të rehatshme ekonomike, ka jetuar rehat, s’di të ketë probleme financiare. Di që po ndërtohet një pallat pas hotel Dajtit, e zonja ka marrë një pronë të dhuruar nga princi”

Ai thekson se Princ Leka aktualisht jeton me qira dhe se pas përfundimit të procesit të divorcit do vendoset në Pallatin Mbretëror. Ndërsa sa i takon Elia Zaharisë dhe vajzës, të cilat jetojnë ende në Pallatin Mbretëror, më pas do të vendosen në një shtëpi tjetër, që sipas Bashës u është dhuruar nga Princi.

“Ai është në shtëpi të tij, ka lënë ish bashkëshorten të jetojë në shtëpinë e tij dhe jeton me qira derisa të mbarojë divorci, është djalë i jashtëzakonshëm. Ai është jetim, gjeti mbështetje te bashkëshortja dhe një familje. Ai jeton jashtë oborrit mbretëror, deri ditën kur të zgjidhet dhe ajo të sistemohet në një banesë tjetër, që ja ka dhënë ky bashkë me një biznes”, tha Basha.

Historiani Erald Kapri:

“Zogu realisht ka qenë një njeri shumë i pasur edhe para se të bëhej mbret. Ishte një nga biznesmenët e parë në Shqipëri. Në 1919 këtu kan ardhur një ndustrialist italian, i cili bëri një marrëveshje me Zogun për pyjet e zonës së Pukës dhe Fushë Arrëzit. Bëri një marrëveshje për 700 mijë lireta të kohës.

Zogu ka marrë deri para vitit 1925, deri në 3 milionë lireta për marrëveshjen e pyjeve. Kjo marrëveshje mendohet t’i ketë sjellë 100 mijë stërlina në flori. Gjatë kohës që u bë Mbret, vendosi një standard. Oborri mbretëror do kishte një buxhet të majmë, që i shërbente oborrit mbretëror, paguheshin 500 mijë franga ose 25 mijë napolona flori.

Ai kishte një koleksion bizhutetish që u zbulua në një ankand në vitin 1959. Kam zbuluar dy llogari të fshehta bankare të Zogut. Ishin krijuar para se të ikte nga Shqipëria. Një e kishte të llojit bankë, 50 mijë stërlina dhe një në Westmister Bank” me kapital amerikan, kishte 82 mijë dollarë.

Ai fitoi edhe një kompensim lufte ku mori 52 mijë stërlina. Zogu, pa floririn dhe pa këto bizhuteri kishte para mjaftueshëm, që me kohën e sotme shkon 10 milionë euro”, theksoi Erald Kapri ne media pak kohe me pare.

Gjykata e Lartë i ka njohur Lekës II pronësinë e dy vilave dykatëshe, me sipërfaqe 345 e 145 metra katrorë dhe një trualli prej 3962 metrash katrorë, ish-pronë e gjyshit të tij, Mbretit Ahmet Zogu. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë miratoi vendimin e Apelit të Shkodrës të vitit 2008, sipas të cilit e drejta e pronësisë së kësaj pasurie i takonte familjes Zogu. Në Gjykatë, familja Zogu pati palë kundërshtare Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH), e cila pati marrë pronën në fjalë pas viteve 1990. Pasuria e paluajtshme në Shirokë, në vitin 1925 ishte regjistruar në regjistrat e kohës si pronë e Ahmet Zogut. Në vijim, gjatë regjimit monist ajo kaloi në favor nga shteti dhe shndërrua në Kampin e Pushimeve Shirokë. Në vitin 2001, pas shpronësimit, trualli dhe godinat kaluan në pronësi të BSPSH-së. Kjo e fundit lidhi një kontratë qiraje disavjeçare me shtetasin Ndue Maraçaj, për shfrytëzimin e saj.