Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja që do të prekin drejtpërdrejt bizneset dhe lokalet, pas forcimit të kontrollit mbi territorin dhe ndërtimet.
Rama foli në konferencën e fundit për shtyp lidhur me ligjin për lirimin e hapësirave publike, duke thënë se pas heqjes së çadrave, do të vijohet me disiplinimin e karrigeve nga trotuaret.
Kryeministri theksoi se edhe për karriget do të vendosen vija të kuqe, duke i dhënë fund pushtimit të hapësirave publike nga bizneset.
Ai tha se kjo do të bëhet me rregullore: “Edhe për karriget […] do t’u japim mundësi të gjithë atyre që kanë aktivitete që të mund të ushtrojnë aktivitet edhe jashtë derës, por në një hapësirë të përcaktuar siç e kanë qytetet europiane.”
Rama shtoi se do të përcaktohet qartë se sa për qind e trotuarit i takon pronarit të biznesit dhe sa për qind i takon publikut.
Ky vendim synon të rikthejë hapësirën e lirë për qytetarët, duke vendosur rregull në përdorimin e ambienteve publike nga lokalet.