Situata në Partinë Socialiste nuk duket aspak e qetë, edhe pse Kryeministri Edi Rama nuk nguron në asnjë moment tu kujtojë jo vetëm të tijëve, por edhe më gjerë, se mazhoranca që drejton ka plot 83 mandate deputetësh. Dhe duket se me shifrën e mandateve që përmend, Kryeministri synon të tregojë forcën që ka, veçanërisht në sallën e Kuvendit.
Por disa detaje, në dukje të parëndësishme, tregojnë se disa nga ata që konsiderohen si ‘senatorë’ në rradhët e socialistëve, disa me mandat deputeti, dhe të tjerë, pa arritur të fitojnë një të tillë në 11 maj, po tregojnë gjithmonë e më shumë një distancim nga Edi Rama.
Pas festës së organizuar nga socialistët në Berat, ku disa nga figurat e PS-së nuk preferuan të marrin pjesë, një tjetër festë, me rastin e festave të fundvitit ka evidentuar të njëjtën gjë.
Këtë rradhë festa ishte e socialistëve të Tiranës, që mbrëmjen e së hënës, u mblodhën në Pallatin e Brigadave, nën shoqërinë e Kryeministrit për të uruar njëri-tjetrin, për festat e fundvitit.
Referuar raportimeve festës së socialistëve nuk iu bashkuan disa nga emrat, që pavarësisht peshës politike, qoftë në kohën kur PS drejtohej nga i ndjeri, Fatos Nano, ashtu edhe nën drejtimin e Edi Ramës, kanë mbajtur pozicione specifike.
Ndër emrat e njohur që raportohet se nuk ishin prezent përfshihen ish-Kryeministri Pandeli Majko, që në 11 maj, humbi garën për të marrë një mandat deputeti, pasi përfshihej në listat e hapura të socialistëve të Tiranës. Po kështu mungonin edhe ish-deputetet Mimi Kodheli dhe Ermonela Felaj, që në 11 maj nuk arritën të merrnin mandatin e ligjvënëses.