Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka prezantuar me bujë programin e tij të quajtur “Toka e Xanun”, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj drejtuesve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) që kanë lejuar ndërtime pa leje.
Duket se ky program mbetet vetëm retorikë, pasi realiteti në terren dëshmon një tjetër histori, ndërtime të paligjshme në bregdetin e Ksamilit, të mbrojtura dhe të favorizuara nga vetë strukturat shtetërore por edhe nga vet kryeministri shqiptar.
Në zonën e njohur si Kep Merli, aty ku është ngritur edhe vila e shumëpërfolur pa leje që i atribuohet familjes së këngëtares Dua Lipa, janë ndërtuar disa vila të tjera pa leje. Ndertuesi i tyre është Agim Shëndiela, i cili akuzohet se ka zaptuar pasuri publike dhe e ka kthyer në biznes privat në shkelje flagrante të ligjit me tokën publike.
Video e mëposhtme është realizuar në vitin 2023 dhe tregon objektin gjatë fazës së ndërtimit, i cili ka përfunduar në vitin 2024, pra akoma kishte kohë për ndërhyrje dhe ndëshkim të paligjshmërisë. Pra në vitin 2023 dhe 2024 janë ndertuar vila të tera pa leje, policia dhe IMT e kanë bekuar.
Këto vila janë ngritur hapur dhe në sy të të gjithëve, në një zonë turistike me interes të lartë, por çuditërisht pa asnjë ndërhyrje të institucioneve që duhej të mbronin territorin. Në këtë kompleks pushon edhe vet Edi Rama.
Përgjegjësit kryesorë të lejes faktike për këto ndërtime janë drejtues të njohur të institucioneve vendore. Nasip Hoxha, ish-drejtues i IMT-së, është përfshirë në disa afera korruptive të denoncuara ndër vite dhe konsiderohet si njeriu që ka mbyllur sytë për ndërtimet pa leje në Ksamil dhe ka lejuar ditën me diell ndërtimin.
Nga ana tjetër, Policia e Sarandës, në kohën kur shef komisariati ishte Geraldo Toska dhe shef krimesh Sentiliano Ndreu, jo vetëm që nuk ndërhyri për të ndalur ndërtimet, por dyshohet se ka qenë pjesë e marrëveshjes së korruptuar që i lejoi ato.
Burime lokale flasin për një pakt korruptiv mes ndërtuesit Shëndiela dhe drejtuesve të policisë, ku nëpërmjet ryshfeteve dhe ndikimit politik, ndërtimet pa leje u bënë realitet pa asnjë pengesë.
Megjithëse për këta tre emra, Nasip Hoxha, Geraldo Toska dhe Sentiliano Ndreu, është hapur procedim penal në Prokurorinë e Sarandës, dosjet e tyre kanë mbetur në sirtar. Denoncuesit thonë se kjo ndodhi për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të partisë në pushtet, e cila ka mbrojtur funksionarët e vet dhe klientët e tyre të ndërtimit.