Pas ngjarjeve në Iran të para 7 ditëve dhe Iuftës së vazhdueshme që po vazhdon ndërmjet Izraelit dhe Iranit, situata siç duket do bëhet vetëm sa më dramatike.
Turqia ka rritur ndjeshëm masat e sigurisë përgjatë kufirit të saj lindor që ndan vendin me Iranin, në një kohë kur tensionet mes Teheranit dhe Tel Avivit vazhdojnë të përshkallëzohen. Lajmi është konfirmuar për agjencinë e lajmeve Reuters nga një burim i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë.
Duke folur në kushte anonimiteti, burimi nga ministria turke e Mbrojtjes ka theksuar se, megjithëse Ankaraja nuk ka vërejtur ende ndonjë fluks të parregullt të migracionit nga territori iranian, autoritetet turke po ndërmarrin masa të rrepta parandaluese me synim ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Po zhvillojmë një sistem të shtresëzuar dhe të integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore, duke përdorur sisteme të prodhuara në vend,” ka deklaruar burimi, duke nënvizuar angazhimin e Turqisë për të mbajtur gatishmërinë e saj të mundshme luftarake në një nivel të lartë.
Si pjesë e masave të sigurisë së forcuar, Turqia ka aktivizuar avionët e Reagimit të Shpejtë. Këta avionë luftarakë janë ngritur në fluturim që nga momenti kur Izraeli nisi sulmet e tij ndaj Iranit, shtet fqinj juglindor i Turqisë. Sipas burimit të Ministrisë së Mbrojtjes, avionët turk po kryejnë patrullime të vazhdueshme përgjatë vijës kufitare, me qëllim monitorimin e çdo shkeljeje të mundshme të hapësirës ajrore turke nga forcat izraelite.
Kjo lëvizje e Turqisë vjen në një moment tejet delikat për rajonin, i cili po përballet me një mundësi reale të shpërthimit të një konflikti të gjerë ushtarak mes Iranit dhe Izraelit, një konflikt që potencialisht mund të përfshijë edhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e bërë situatën edhe më të paqëndrueshme dhe të rrezikshme.